Gossip Showbiz

Akuza tronditëse ndaj Julio Iglesias, këngëtari thyen heshtjen dhe flet për herë të parë!

Julio Iglesias ka reaguar publikisht për herë të parë pas akuzave të rënda që rëndojnë mbi të, lidhur me trafikim të dyshuar dhe sulm seksual ndaj dy ish-punonjësve të tij shtëpiakë.

Këngëtari legjendar spanjoll, 82 vjeç, ka publikuar një deklaratë të fortë mbrojtëse, duke mohuar kategorikisht çdo formë abuzimi.

Me shumë trishtim i përgjigjem akuzave të bëra nga dy persona që më parë kanë punuar në shtëpinë time. Mohoj të kem abuzuar, detyruar ose treguar mungesë respekti ndaj ndonjë gruaje

-shkroi Iglesias, i cili ka marrë mbështetje publike edhe nga bashkëshortja e tij, Miranda.

Ai nuk i fshehu emocionet dhe e përshkroi situatën si një nga momentet më të errëta të jetës së tij:

Nuk kisha ndjerë kurrë kaq shumë të keqe, por ende kam forcën t’ua tregoj njerëzve të gjithë të vërtetën dhe të mbroj dinjitetin tim përballë një ankese kaq serioze.

Akuzat lidhen me ngjarje që dyshohet se kanë ndodhur në vitin 2021 dhe që, sipas Zyrës së Prokurorit të Gjykatës Kombëtare, mund të përbëjnë vepra penale të rënda, përfshirë trafikim të qenieve njerëzore për qëllime pune të detyruar dhe skllavërie, si edhe krime kundër lirisë seksuale, si ngacmimi dhe sulmi seksual.

Dy ankuesit, një punonjëse e shërbimit shtëpiak dhe një fizioterapiste, të punësuar në rezidencat e Iglesias në Republikën Dominikane dhe Bahamas, pretendojnë se kanë qenë viktima të sjelljeve të papërshtatshme, përfshirë prekje pa pëlqim, presion për marrëdhënie intime dhe kufizime të rënda të lirisë personale.

Sipas dëshmive të tyre, mjedisi i punës karakterizohej nga kontroll i vazhdueshëm, poshtërim, orë të gjata pune dhe izolim.

Njëra prej grave ka deklaruar se “ai më përdorte pothuajse çdo natë. Ndihesha si një objekt, si një skllave”, ndërsa të dyja raportojnë se janë goditur, fyer verbalisht dhe, sipas pretendimeve, janë përballur me akte seksuale pa pëlqimin e tyre.

Gjykatësi Joaquim Bosch, duke folur në emisionin ‘Malas lenguas’ në RTVE, shpjegoi pasojat e mundshme ligjore nëse Iglesias shpallet fajtor.

Sipas tij, për veprën penale të sulmit seksual, dënimi sipas ligjit në fuqi në vitin 2021 varion nga gjashtë deri në 12 vjet burg, ndërsa në rrethana rënduese mund të arrijë deri në 15 vjet.

Sa i përket trafikimit të qenieve njerëzore, Bosch thekson se dënimet bazë shkojnë nga pesë deri në tetë vjet burg, por në raste të rënda mund të rriten ndjeshëm.

Nëse faktet vërtetohen qartë dhe pas një procesi me të gjitha garancitë ligjore, dënimet mund të arrijnë nga 10 deri në 20 vjet burg

-u shpreh ai.

Ndërkohë, çështja vazhdon të tronditë opinionin publik dhe të ndajë reagimet, ndërsa hetimet pritet të hedhin më shumë dritë mbi akuzat që kanë vënë në qendër të vëmendjes një nga emrat më të mëdhenj të muzikës botërore.