Aktualitet

Ambasada Amerikane në Tiranë: SHBA mbetet vendosmërisht e përkushtuar ndaj Reformës në Drejtësi

Uashingtoni e pranon se Drejtësia e re në Shqipëri nuk është e përsosur, por thekson rëndësinë që të ecë përpara. Sot në një deklaratë që pason mesazhet e forta të këtyre ditëve të ambasadores Yuri Kim, Ambasada Amerikane në Tiranë thekson se “Shtetet e Bashkuara mbeten vendosmërisht të përkushtuara ndaj Reformës në Drejtësi, e cila është kërkesë e popullit shqiptar. Në përgjigje të kësaj kërkese, në vitin 2016, Parlamenti miratoi unanimisht ligjet themelore për Reformën. Prej atëherë, janë ngritur institucione kyçe dhe zbatimi vazhdon për t’i bërë ato funksionale”. Më tej, Selia Diplomatike e Uashingtonit vë në dukje se “Reforma është e dhimbshme, e ngadaltë dhe e papërsosur por e nevojshme”. “Reforma në Drejtësi po ecën përpara dhe duhet të vazhdojë, që Shqipëria të bëhet anëtare e plotë e familjes europiane. E gjithë Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të vijojë të mbështesë synimin e popullit shqiptar.  Ne nuk duhet të humbasim përqëndrimin, ne nuk duhet të çorientohemi – synimi është i qartë, populli shqiptar foli dhe Reforma në Drejtësi duhet të ecë përpara, hap pas hapi”, – thuhet në deklaratën e Ambasadës Amerikane.