Aktualitet

Ambasadorja Yuri Kim, takime me zyrtarë shqiptarë për reformën zgjedhore

Reforma Zgjedhore është sot në fokus të axhendës së takimeve të ambasadores amerikane, Yuri Kim me zyrtarë shqiptarë. Pak minuta më parë, Kim u largua nga zyra e kryeparlamentarit Gramoz Ruçi, ndërsa më herët gjatë ditës takoi kreun e Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja. Gjithashtu, bashkë me ambasadorin e BE-së, Luigi Soreca, pritet që diplomatja e Uashingtonit të ketë një takim me 4 përfaqësuesit e Këshillit Politik të Reformës Zgjedhore.

Ndërkaq, Këshilli Politik i Reformës Zgjedhore mblidhet sot në orën 17:00. Palët pritet të diskutojnë masat që rregullojnë veprimtarinë e Prokurorisë, Policisë, SPAK-ut, si dhe do të trajtohet krimi zgjedhor. 2 ditë më parë, gjetën konsensus për kufizimin e periudhës zgjedhore në  15 prill-15 maj dhe 15 tetori-15 nëntor, parimin e kuotës gjinore e financimin për partitë.

Ambasadori i OSBE-së, Bernd Borchardt kërkon që partitë politike në Këshillin e Reformës Zgjedhore të vijojnë rrugën e kompromisëve konstruktive. “Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe ODIHR-i do të vijojnë të ofrojnë mbështetje për përmbylljen e kësaj reforme të rëndësishme sa më shpejt, idealisht brenda 31 majit, sikurse janë zotuar partitë politike. Po ashtu, ne do të vijojmë të mbështesim dialogun për teknologjitë e reja të votimit dhe për ndryshimin e sistemit zgjedhor”, thuhet në deklaratën e ambasadorit  Borchardt.