Bota Tech

Apeli në Uashington mban në fuqi ligjin për shitjen e TikTok-ut/Në SHBA pritet mbyllja e tij!

TikTok-u pëson humbje në betejën kundër një ligji në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e që kërkon shitjen apo ndalimin e këtij aplikacioni popullor. Gjykata e Apelit në Uashington e vlerësoi “të ligjshëm” ligjin për shitjen e TikTok-ut. Tani, i vetmi opsion për TikTok-un është t’i drejtohet Gjykatës së Lartë në SHBA.

Në padi, platforma në pronësi të kompanisë kineze, ByteDance, argumentoi se ligji “shkel lirinë e fjalës së garantuar në Kushtetutën amerikane”. Por gjykata theksoi se “është në përputhje me praktikat dhe rregulloret që janë në fuqi për një kohë të gjatë” e se “Kongresi Amerikan nuk pati për qëllim të shtypte liri të caktuara”.

Sipas ligjit që hyri në fuqi në prill, ByteDance ka rreth një vit kohë për të shitur aksionet që ka në TikTok, para se të ndalohet në të gjitha dyqanet e aplikacioneve në SHBA. Ky ligj bazohet në rrezikun që Kina mund të ketë akses në të dhënat amerikane e të ushtrojë ndikim politik përmes tyre.

Në padinë e TikTok-ut, thuhej edhe se ndarja nga ByteDance, siç propozohet në ligjin amerikan nëse ky aplikacion dëshiron të ketë akses në SHBA, “thjesht nuk është e mundur në aspektet tregtare, teknologjike e ligjore”.

Fillimisht, ligji i pati dhënë ByteDance-it 270 ditë kohë që të shiste aksionet që ka në TikTok. Presidenti amerikan, Joe Biden, mund të zgjasë afatin me tre muaj të tjerë nëse shënohet përparim në bisedimet për shitjen e aksioneve. Megjithatë, TikTok-u deklaroi se nga perspektiva e kompanisë, “nuk do të ndodhë kjo gjë”.

Nuk ka dyshim se ky ligj do të detyrojë mbylljen e TikTok-ut deri më 19 janar 2025, duke prekur 170 milion amerikanë që përdorin platformën.

Më 20 janar, republikani Donald Trump merr detyrën e presidentit të SHBA-ve. Gjatë mandatit të parë presidencial, administrata e tij pati dështuar që përmes gjykatave të detyronte shitjen e TikTok-ut. Gjatë fushatës zgjedhore për presidencialet e këtij viti, Trump është shprehur kundër ndalimit të platformës. Por nuk mund ta tërheqë ligjin.

ByteDance konsiderohet “kompani kineze” nga të dyja partitë kryesore në SHBA. TikTok-u argumenton se rreth 60% e aksioneve në ByteDance janë të investitorëve perëndimorë. Selia e kompanisë është në Ishujt Kajman, në Karaibe.

Por politikanët amerikanë argumentuan se “themeluesit kinezë kanë kontroll, për shkak të votës në bord pasi kanë 20% të aksioneve”, duke shtuar se selia kryesore e ByteDance-it gjendet në Pekin,  aty ku kompania nuk mund t’i shpëtojë ndikimit të autoriteteve.