Alexandra Paul, e njohur për rolin e saj në serialin Baywatch, është arrestuar në Blue Mounds, Wisconsin, pasi hyri pa leje në një fermë ku mbahen qen për eksperimente.
Aktorja 62-vjeçare ishte mes rreth 20 personave të ndaluar nga policia, pasi një grup prej dhjetëra protestuesish hynë në pronën e Ridglan Farms. Sipas autoriteteve, disa prej tyre madje morën me vete qen të racës beagle nga objekti.
Disa nga kafshët u rikthyen më vonë, por të tjera rezultojnë ende të zhdukura. Gjatë ndërhyrjes, policia sekuestroi edhe automjete dhe mjete që dyshohet se janë përdorur për këtë aksion. Hetimet për rastin vazhdojnë.
Fermat në fjalë janë ndër të paktat në SHBA që furnizojnë laboratorë me qen për kërkime shkencore, por aktiviteti i tyre ka qenë shpesh në qendër të kritikave nga aktivistët për të drejtat e kafshëve.
Madje, autoritetet lokale kanë vendosur që nga korriku i vitit 2026 këto ferma të mos shesin më qen për eksperimente biomjekësore.
Sherifi Kalvin Barrett deklaroi se, ndonëse respektojnë protestat paqësore, çdo veprim i paligjshëm do të trajtohet sipas ligjit. Ai theksoi se qytetarët duhet të ndjekin rrugë ligjore për të shprehur shqetësimet e tyre.
Ky nuk është rasti i parë që Alexandra Paul përballet me ligjin për shkak të aktivizmit të saj. Në vitin 2021, ajo u akuzua për vjedhje pasi dyshohej se kishte marrë dy pula nga një kamion, por më pas u shpall e pafajshme.
Aktorja ka qenë prej vitesh një zë i fortë për mbrojtjen e kafshëve. Ajo është vegane dhe ka deklaruar se nuk përdor produkte të testuara mbi kafshë, duke e kthyer aktivizmin në një pjesë të rëndësishme të jetës dhe karrierës së saj.