Bota

Bashkimi Europian konfirmon rivendosjen e sanksioneve kundër Iranit!

Bashkimi Europian njofton se i ka rivendosur sanksione Iranit, duke ndjekur hapin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

Sot, BE-ja riktheu sanksionet ndaj Iranit, si përgjigje ndaj mosrespektimit të vazhdueshëm të marrëveshjes bërthamore. Dera për bisedime diplomatike mbetet e hapur, thuhet në një deklaratë të presidencës së BE-së.

BE-ja bëri të ditur se sanksionet përfshijnë ngrirjen e aseteve të Bankës Qendrore të Iranit e të tjera bankave iraniane, si dhe ndalimin e udhëtimit për disa zyrtarë të Republikës Islamike. Gjithashtu, BE-ja ndaloi blerjen dhe transportin e naftës së papërpunuar nga Irani, krahas shitjes ose furnizimit me ar dhe pajisje të caktuara detare.

Një ditë më parë, Kombet e Bashkuara rikthyen një embargo armësh e sanksione të tjera ndaj Iranit për programin e tij bërthamor, pas një procesi të nisur nga fuqitë europiane, të cilit Teherani zyrtar i është kundërpërgjigjur me paralajmërime për masa të ashpra.

Britania e Madhe, Franca, si dhe Gjermania filluan me rikthimin e sanksioneve ndaj Iranit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke e akuzuar Teheranin për shkeljen e marrëveshjes së vitit 2015. Synimi i këtij akordi ishte të mos e lejonte Iranin të prodhojë ndonjë bombë bërthamore. Shteti iranian mohon se synon që të prodhojë armë bërthamore.