Bebe Rexha ka ndarë me ndjekësit në TikTok një episod sa qesharak, aq edhe i sikletshëm, që i ka ndodhur gjatë një darke në restorant.
Këngëtarja me origjinë shqiptare ishte duke shijuar një mbrëmje të qetë, kur stafi i restorantit e njohu dhe vendosi ta “nderonte” në mënyrën më të zhurmshme të mundshme – duke lëshuar këngën e saj “I’m Good (Blue)” jo një herë, por plot tetë herë rresht, pa ndërprerje.
Në videon që Rexha ndau me ndjekësit, ajo shfaqet në tavolinë, duke buzëqeshur në siklet, ndërsa në sfond dëgjohet kënga e saj që përsëritet vazhdimisht.
Kur restoranti lëshon këngën tënde tetë herë rresht gjatë darkës
-shkroi ajo me humor në mbishkrimin e videos.
Në komentet që pasuan, Bebe shtoi me ironi:
Ata e lëshuan fjalë për fjalë tetë herë kur e dinin që isha aty. U ndjeva shumë në siklet
Ngjarja u prit me të qeshura dhe komente gazmore nga fansat, të cilët e vlerësuan reagimin e këngëtares dhe momentin e pazakontë.