Ish-kryeministri Sali Berisha doli sot në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp ku u pyet ndër të tjera nga gazetarët nëse do të jetë pjesë e grupit parlamentar të PD-së në Parlamentin e ardhshëm. Ish-kreu i selisë blu u shpreh se do të futet në Kuvend ashtu siç e kanë votuar qytetarët.
Në Parlament unë do futëm ashtu siç më kanë votuar qytetarët. Çdo vendimi i cili në vend të transparencës zgjedh diktatin unë do ti kundërvihem, me një aleancë me çdo demokratë dhe shqiptarë, me një betejë kundër këtij vendimi. Unë kërkoj nga PD që të mos angazhohet në këtë betejë. PD ka një detyrë të kërkojë fakte, prova, dokumenta. Në mungesë të tyre të mos pranojë kurrë diktatin. Diktati të çon të bari, tha Berisha.
Deklaratën e ambasadores amerikane në Tiranë, kur disa ditë më parë, pas një takimi me liderin e PD-së Lulzim Basha tha se “do të ishte një ironi historike por edhe një tragjedi për vendin, jo vetëm për partinë, nëse partia do të hante bar për hir të interesave personale të një njeriu”, Ish-kryeministri Sali Berisha e ka quajtur deklaratën “më skandaloze të 30 vjetëve të fundit e një përfaqësuesi të huaj në Shqipëri”,
Berisha tha se PD duhet t’i kerkojë diplomates amerikane të kërkojë falje publikisht për këtë deklaratë dhe e ka quajtur kërcënim për demokratët dhe qytetarët.
Çfarë qëndrimi do mbanit ju nëse do ishit kryetari i PD pas deklaratave të ambasadores Yuri Kim?
Mendoj që deklarata që bëri ambasadorja në oborrin e PD, është deklarata më skandaloze e 30 vjetëve të fundit e një përfaqësuesi të huaj në Shqipëri, me barin më kuptoni. Kërcënimi që u bëri demokratëve me barin por dhe shqiptarëve indirekt aty, e unë po atë ditë i kërkova të kërkojë ndjesë. Mirëpo ajo nuk ka ndodhur, megjithatë nuk është vonë, PD duhet ti kërkojë zonjës të kërkojë ndjesë publikisht e pa asnjë diskutim ajo mbetet e hapur për bashkëpunim me gjithë përfaqësitë e vendeve mike në Shqipëri.
Bashkëqeverisje Rama-Basha?
Berisha u shpreh kategorikisht kundër një bashkëpunimi të tillë, duke thënë se opozita është shpresë për përmbysjen e narkoshtetit dhe nuk mund të shndërrohet në levë të narkoshtetit.
Kategorikisht kundër. Do të ishte drama më e madhe e Shqipërisë dhe shqiptarëve që opozita, e cila është shpresë për përmbysjen e narkoshtetit, të shndërrohet në levë të narkoshtetit. Jam i bindur se janë shumë të paktë, ose ndoshta askush nga demokratë, që e duan, por bashkëpunimin që iu referua zonja Kim mund të jetë, por edhe jo, për bashkëqeverisje, tha Berisha.

