Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha prezantoi kandidatët për deputetë në Qarkun e Elbasanit. Në fjalën përshëndetëse, Berisha u shpreh se “në 12 vite të qeverisjes së Edi Ramës, Elbasani po shkretohet”.
Në 12 vitet e Edi Ramës, Elbasani u shkretua më shumë se në çdo pushtim, më shumë se në çdo luftë. Elbasani në këto 12 vite pa ato që nuk i kishte parë ndonjëherë. Pa banditët e qeverisë të zvarrisin komisarët. Pa banditë të porosisin vrasjet e avoketërve dhe qytetarëve të tjerë. Pa hienat e krimit të vërsulen mbi vullnetin e qytetarëve për të grabitur votat. Pa gjykatës që porosisnin vrasjen e gazetarëve.
Elbasani i bekuar përjetoi shpopullimin më të madh, largimin e dhjetëra mijëra bijve dhe bijave të saj për të ndërtuar ëndrrën e tyre në dherat e tjerë e jo në Shqipëri, jo në Elbasan. Gjatë këtyre viteve, taksat tuaja, djersa juaj, mundi juaj, u vodhën. Me këto para’, Edi Rama, ministrat e zyrtarët e tij, u shndërruan në sheikët e Shqipërisë.
Por miqtë e mi, aq sa u pasuruan ata, aq shumë u varfëruan qytetarët shqiptarë. Aq thellë u zhytën në mjerim, në varfëri të skajshme pensionistët shqiptarë. Familjet shqiptare sot, mbi 40% e tyre, nuk ushqejnë dot fëmijët siç duhet. 18% nuk iu garantojnë dot dy vakte fëmijëve të vet.
Me qindra e mijëra janë familjet në sofrën e të cilëve nuk mjaftonte ajo që shtrohej dhe detyroheshin t’u thoshin fëmijëve të tyre, merr rrugët e dheut, gjej fatin tënd. Sepse Edi Rama zgjodhi të jetojë vetë në sarajet me themele dy herë më të gjata se vila e diktatorit Enver Hoxha.
Se Edi Rama zgjodhi me këto para të jetojë vetë, të ketë një oborr 4 herë më të madh se diktatori. Diktatori ishte njeriu më mizor, por atë oborr dhe atë vilë nuk i regjistroi në emrin e tij. Kurse Edi Rama me 4 mijë euro kursime u bë me saraje dhe park 8 mijë metra katrorë.
Berisha tha se “Elbasani është dëshmi e njërës prej vjedhjeve më të mëdha të shekullit”.
Ja ku është llamarina që solli Edi Rama me ministrat e tij. Jashtë funksioni, nuk ka prodhuar asnjë kilovat orë që kur është instaluar. Sot mali i plehrave është më i madh se kurrë sepse paratë përfunduan në llogaritë e Edi Ramës, Gjiknurit dhe ministrave të tij.