Aktualitet Politikë

Berisha nuk “tërhiqet”, njofton lëvizjen e radhës!

Ish-kryeministri Sali Berisha ka njoftuar se “Foltorja” të premten do të zhvendoset në qytetin e Sarandës.

Në një postim në “Facebook”, lideri historik i të djathtës shkruan se takimi me demokratët do të zhvillohet në orën 17:00, ndaj fton të gjithë mbështetësit e tij që të jenë të pranishëm.

“Per një Parti Demokratike më të bashkuar, më të fortë, më të hapur. Ftoj demokratet dhe demokratët e Sarandës të marrin pjesë. Vetëm të bashkuar fitojmë!” shkruan Berisha në postimin e tij.

Kujtojmë që Berisha dje dorëzoi 4,200 firmat e mbledhura për thirrjen e Këshillit Kombëtar. Kutitë u depozituan në zyrën e Kryetarit të Këshillit Kombëtar, Edi Paloka. Ky i fundit  tha se do të zbatojë detyrimin e delegatëve, ndërsa zbuloi se ai vetë nuk ka firmosur. Firmëtarët  kanë kërkuar që të ruhet fshehtësia e të dhënave të tyre, dhe formularët do të hapen vetëm ditën e Kuvendit të jashtëzakonshëm më 11 dhjetor!

E mërkura shënoi sërish përplasje të forta mes Sali Berishës dhe Ambasadores Amerikane Yuri Kim. Pasi ambasadorja amerikane deklaroi se nëse Sali Berisha rikthehet në krye të PD, Amerika do ti shkëpusë mardhëniet me këtë parti, Berisha bëri të qartë se nuk synon vetëm rikthimin në PD por edhe si Kryeministër i vendit. Ai tha se shpallja “non grata” është hakmarrje politike dhe se ai ka marrëdhënie shumë të mira me republikanët në SHBA.