Health & Beauty Lifestyle

Beta-bllokuesit pas atakut në zemër mund të jenë joefektivë dhe të rrisin rrezikun e vdekjes?

Një studim i madh ndërkombëtar ka hedhur dyshime serioze mbi përdorimin afatgjatë të beta-bllokuesve tek pacientët që kanë kaluar atak në zemër, duke sugjeruar se ky trajtim jo vetëm që nuk sjell përfitime, por në disa raste mund të rrisë edhe rrezikun e vdekjes.

Beta-bllokuesit, të cilët për dekada janë konsideruar pjesë e domosdoshme e trajtimit pas një infarkti, u përshkruhen çdo vit rreth 60,000 pacientëve vetëm në Mbretërinë e Bashkuar.

Shumë prej tyre e marrin këtë terapi për gjithë jetën, duke u përballur shpesh me efekte anësore të pakëndshme si lodhje, të përziera, marrje mendsh apo edhe probleme me funksionin seksual.

Por një provë klinike e kryer në Spanjë, e cila përfshiu më shumë se 8,500 pacientë në 109 spitale, ka treguar se përdorimi i këtyre ilaçeve nuk uli rrezikun e vdekjes, të sulmeve të përsëritura në zemër apo të shtrimeve në spital për dështim kardiak.

Për më tepër, tek gratë, rezultatet ishin edhe më shqetësuese: përdorimi i beta-bllokuesve lidhej me një rritje prej 2.7% të rrezikut për vdekje dhe komplikacione të tjera serioze.

Ne nuk gjetëm asnjë përfitim të dukshëm tek pacientët me funksion të ruajtur të zemrës pas një ataku në zemër, pavarësisht se beta-bllokuesit janë përdorur si standard trajtimi për gati 40 vjet

-deklaroi Dr. Valentin Fuster, drejtor i Qendrës Kombëtare për Kërkime Kardiovaskulare në Madrid.

Ai shtoi se këto gjetje “do të riformësojnë udhëzimet klinike ndërkombëtare” dhe do të nxisin një qasje të re, të personalizuar sipas gjinisë, në trajtimin e sëmundjeve të zemrës.

Studimi, i publikuar në “European Heart Journal” dhe i prezantuar në Kongresin e Shoqatës Evropiane të Kardiologjisë në Madrid, ka hapur një debat të madh në komunitetin mjekësor.

Shumë ekspertë e shohin këtë si një mundësi për të rishikuar praktikat e deritanishme dhe për t’i shpëtuar pacientët nga trajtime të panevojshme e me pasoja anësore.

Ky zbulim mund të shënojë një pikë kthese në kardiologji, duke ndryshuar mënyrën se si trajtohen mijëra pacientë në mbarë botën pas një ataku në zemër.