Çrregullimet e motilitetit të traktit tretës përbëjnë një grup gjendjesh që prekin mënyrën se si muskujt dhe nervat e sistemit tretës koordinojnë lëvizjen e ushqimit.
Këto probleme mund të jenë pasojë e sëmundjeve organike ose funksionale, duke u shfaqur me simptoma të shumta, si vështirësi në gëlltitje (disfagia), dhimbje gjoksi, dispepsi, kapsllëk apo të vjella të përsëritura.
Ekspertët theksojnë se çrregullimet mund të përfshijnë pjesë të ndryshme të sistemit tretës – nga ezofagu deri tek zorra e trashë – duke bërë që pacientët të përjetojnë një gamë të gjerë shqetësimesh.
Shkaqet kryesore lidhen me mosfunksionimin e muskujve ose nervave, që çon në kontraksione dhe relaksime të parregullta.
Disa nga gjendjet më të shpeshta janë: sëmundja e refluksit gastroezofageal (GERD), sindroma e zorrës së irrituar (IBS), kapsllëku kronik, akalazia dhe gastropareza.
Në raste më të rralla hasen pseudo-obstruksioni intestinal, rritja e tepërt bakteriale në zorrën e hollë (SIBO) apo disinergjia pelvike.
Simptomat më tipike përfshijnë:
-Dhimbje barku të forta
-Disfagi (vështirësi në gëlltitje)
-Refluks kronik të acidit
-Të vjella të përsëritura
-Diarre ose kapsllëk
-Inkontinencë fekale
Diagnoza kërkon metoda të specializuara, si:
-Manometria ezofageale me rezolucion të lartë, që mat kontraksionet e muskujve të ezofagut.
-Studimi i pH-së me kapsulë pa tel, për të matur aciditetin e ezofagut.
-Endoskopia dhe sonda endoluminale funksionale, për të vlerësuar gjendjen e muskujve dhe mukozës.
-Studimi i tranzitit gastrointestinal, që ndjek shpejtësinë e kalimit të ushqimit në stomak e zorrë.
-Manometria anorektale dhe testi i balonës, për të përcaktuar shkaqet e kapsllëkut ose inkontinencës.
Mjekët thonë se identifikimi i hershëm i çrregullimeve të motilitetit është thelbësor, pasi vetëm përmes diagnozës së saktë mund të përcaktohet trajtimi më i përshtatshëm për çdo pacient.