Dhimbja e shpinës në mëngjes është një nga shqetësimet më të përhapura dhe mund të ndikojë negativisht në gjithë ditën. Ajo mund të shfaqet si pulsime, dhembje apo edhe si dhimbje që përhapet drejt këmbëve, duke e bërë nisjen e ditës të vështirë.
Ekspertët theksojnë se kjo lloj dhimbjeje shpesh lidhet me mënyrën si flemë dhe kushtet gjatë gjumit. Sipas tyre, gjumi dhe dhimbja kanë një lidhje të ndërlikuar: njëri ndikon drejtpërdrejt tek tjetri.
Një nga shkaqet kryesore është pozicioni i gabuar gjatë gjumit. Fjetja në bark, për shembull, mund të shtrembërojë qafën dhe shtyllën kurrizore, ndërsa pozicionet më të rekomanduara janë në anë (me gjunjë pak të përkulur) ose në shpinë.
Një tjetër faktor është qëndrimi i gjatë pa lëvizje. Edhe pse duket normale gjatë gjumit, mungesa e lëvizjes për orë të tëra mund të shkaktojë ngurtësi dhe procese inflamatore, të cilat ndihen më shumë në momentin që zgjoheni.
Po aq i rëndësishëm është edhe dysheku apo jastëku. Një dyshek shumë i butë, i vjetër apo i dëmtuar nuk ofron mbështetjen e duhur për shtyllën kurrizore, duke çuar në dhimbje të vazhdueshme.
Ekspertët rekomandojnë një dyshek mesatarisht të fortë dhe ndërrimin e tij çdo 6–8 vjet.
Në disa raste, dhimbja mund të lidhet edhe me probleme shëndetësore si hernia diskale, artriti i shtyllës kurrizore apo fibromialgjia, si dhe me ndryshimet që ndodhin gjatë shtatzënisë.
Për të reduktuar dhimbjen, rekomandohen disa hapa të thjeshtë: përdorimi i jastëkëve mbështetës sipas pozicionit të gjumit, ushtrime të lehta shtrirjeje para dhe pas gjumit, si dhe shmangia e ngritjes së menjëhershme nga shtrati.
Megjithatë, nëse dhimbja vazhdon për më shumë se dy deri në tre muaj ose përkeqësohet, është e rëndësishme të konsultoheni me mjekun.
Një vlerësim i saktë mund të ndihmojë në zbulimin e shkakut dhe në përcaktimin e trajtimit të duhur.