Rajoni

Çfarë pritet pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve?

Pasditen e sotme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të bëjë certifikimin e rezultatateve të zgjedhjeve të përgjithshme të 9 shkurtit, duke i hapur rrugë formimit të institucioneve të reja. Certifikimi bëhet pasi kanë kaluar të gjitha afatet e aneksave të partive dhe kandidatëve për deputetë në Panelin për Ankesa dhe Parashtresa e në Gjykatën Supreme. Procedurat për formimin e institucioneve të reja janë në Kushtetutë e ligje të tjera.

Fillimisht, para se të certifikohen rezultatet, anëtarët e qeverisë Kurti që kanë fituar votat e mjaftueshme për postin e deputetit duhet të japin dorëheqje para ditës së certifikimit. Partia e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Konstituimi i Kuvendit të ri të Kosovës

Menjëherë pas certifikimit të rezultatateve të zgjedhjeve hapi i parë nuk është formimi i qeverisë, por ai i konstituimit të përbërjes së re parlamentare. Sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, pas certifikimit të rezultatateve të zgjedhjeve presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duhet që brenda 30 ditëve të thërrasë seancën konstituive të Kuvendit. Gjatë kësaj seance, deputetët e rinj bëjnë betimin dhe më pas zgjedhin kryetarët dhe nënkryetarët.

Posti i kryetarit të Kuvendit i takon partisë së parë në zgjedhje, në këtë rast LVV-së. Ndërkaq, partitë më të mëdha politike propozojnë një kandidat për nënkryetar, por edhe deputetët e komunitetit serb dhe ata të komuniteteve joshumicë, duhet të propozojnë nga një deputet për postin e nënkryetarit.

Kryetari dhe nënkryetarët zgjidhen me shumicë të votave. Seanca konstituive, sipas Rregullores së Kuvendit, përfundon me zgjedhjen e tyre.

Kufizimi i kompetencave të ekzekutivit aktual

Me konsitituimin e Kuvendit, hapet rruga për formimin e ekzekutivit të ri. Por, në këtë periudhë të ndërmjetme, pra nga konstituimi i përbërjes së re parlamentare e deri te formimi i ekzekutivit të ri, qeverisë aktuale i kufizohen kompetencat.

Qeveria nuk ka të drejtë të miratojë nisma apo të nënshkruajë marrëveshje ndërkombëtare, për të cilat kërkohet ratifikimi i Kuvendit, nuk mund të miratojë ligje, strategji e koncept-dokumente, nuk mund të propozojë kandidatë për poste të caktuara e as të emërojë njerëz në pozita publike.

Qeveria e re

Në këtë periudhë, presidentja Osmani, sipas ligjeve detyrohet të nominojë partinë fituese si mandatare për formimin e qeverisë së re. Kabineti qeveritar i propozuar duhet të sigurojë votat e 61 deputetëve.