Agjencia Qendrore e Inteligjencës amerikane (CIA) po kalon në një fazë të re të implementimit të Inteligjencës Artificiale, duke integruar qindra projekte të reja që synojnë të transformojnë mënyrën se si oficerët menaxhojnë informacionin dhe analizat e inteligjencës. Sipas Israel Soong, zv.drejtor i Zyrës së AI në CIA, pas viteve të investimeve në infrastrukturë dhe programe trajnimi, agjencia ka arritur të përhapë një program të njohurive bazike mbi AI për mijëra oficerë, të vendosë një chatbot operativ dhe të bashkëpunojë me katër ofrues kryesorë cloud për të sjellë modelet më të avancuara brenda strukturave të saj.
“Ne kemi kaluar nga pyetja ‘A duhet të adoptojmë AI?’ tek pyetja ‘Si ta operacionalizojmë AI-në në mënyrë të përgjegjshme në shkallë?’”, tha Soong gjatë një webinari me Federal News Network, duke theksuar se tani AI po përdoret si një kapacitet i besueshëm që ndryshon punën e përditshme të oficerëve.
CIA po integron modele gjuhësore të mëdha, teknika të përmirësuara për gjenerimin e informacionit dhe ndërfaqe chatbot direkt në rrjedhat e punës së analistëve, duke i lejuar ata të fokusohen në analizë të thelluar, ndërsa AI merret me përpunimin e informacionit dhe përzgjedhjen e të dhënave më të rëndësishme.
Soong parashikon një të ardhme ku oficerët e CIA-s menaxhojnë ekipe të agjentëve AI, të cilët mund të identifikojnë boshllëqet në inteligjencë, të gjenerojnë hipoteza të reja dhe të përgatitin analizat paraprakisht, duke i dhënë oficerëve më shumë kohë për vendimmarrje kritike. “Imagjinoni që AI-ja ka përzgjedhur inteligjencën e natës, ka theksuar zhvillimet më të rëndësishme operacionale dhe ka kombinuar raportimet për t’i rishikuar gjatë mëngjesit tuaj”, tha ai.
Hapi i ardhshëm i CIA-s do të përqendrohet në shpërndarjen e modeleve më të vogla dhe agjentëve AI në terren, duke mundësuar përdorim të inteligjencës artificiale edhe në mjedise të largëta ose armiqësore me lidhje minimale ose pa lidhje fare. Ekspertët e agjencisë thonë se ky është një moment kyç: AI nuk është më vetëm një mjet eksperimental, por një komponent strategjik që ndryshon mënyrën se si CIA mbledh, përpunon dhe përdor inteligjencën në nivel global.