Rowan Atkinson festoi të martën 71-vjetorin e lindjes, duke rikthyer vëmendjen te jeta e jashtëzakonshme e një prej figurave më ikonike të humorit botëror. Nga një fëmijëri e qetë në Consett të County Durham, ai u shndërrua në një superstar global falë personazheve të paharrueshme si Mr. Bean, Johnny English dhe Blackadder, si dhe roleve në filma të famshëm si Love Actually, Dead On Time dhe Wonka.
Pak e dinë se Atkinson ndoqi të njëjtën shkollë fillore me ish-kryeministrin britanik Tony Blair, përpara se të vazhdonte arsimin në shkollën elitare St. Bees, ku spikati për aftësitë e tij në shkencë.
Fillimisht, rruga e tij dukej e destinuar për një karrierë krejt tjetër: inxhinieri elektrike. Ai përfundoi studimet master në Newcastle University dhe nisi një doktoraturë në Universitetin e Oksfordit, ku zbuloi pasionin që do t’i ndryshonte jetën përgjithmonë, komedinë dhe skenën.
Edhe pse sot njihet për mimikën e tij brilante, Rowan Atkinson ka luftuar prej vitesh me një çrregullim të të folurit, stammering-un. Ironikisht, ai ka zbuluar se kjo vështirësi zhduket sapo hyn në rol, duke e bërë aktrimin një formë çlirimi personal.
Një nga episodet më dramatike të jetës së tij ndodhi në vitin 2001, kur shpëtoi jetën e bashkëshortes së tij të atëhershme, Sunetra Sastry, dhe dy fëmijëve të tyre.
Gjatë një fluturimi me avion privat, piloti humbi ndjenjat dhe Atkinson mori kontrollin e avionit, duke shmangur një tragjedi të sigurt.
Aktori ka gjithashtu lidhje të ngushta me familjen mbretërore britanike. Ai është mik i afërt i Mbretit Charles dhe ka qenë i ftuar në disa nga ngjarjet më ekskluzive mbretërore, përfshirë kurorëzime dhe dasma princërore.
Në moshën 62-vjeçare, Rowan Atkinson u bë baba për herë të tretë me partneren e tij Louise Ford, ndërsa nga martesa e mëparshme ka dy fëmijë tashmë të rritur. Sot, ai mbetet një ikonë e padiskutueshme britanike, një njeri që kombinon humorin, inteligjencën, guximin dhe një jetë plot histori që duken si skenar filmash.