Food & Drink Lifestyle

Cili frut mund t’ju ndryshojë humorin brenda 4 ditëve?

Një studim i fundit shkencor ka zbuluar se një zakon shumë i thjeshtë ushqimor mund të sjellë përmirësime të shpejta dhe të dukshme në humor dhe energji. Bëhet fjalë për konsumimin e kivit, një frut i vogël, por me ndikim të madh në mirëqenien mendore dhe fizike.

Hulumtimi u realizua nga Universiteti i Otagos në Zelandën e Re dhe përfshiu 155 të rritur me nivele të ulëta të vitaminës C. Gjatë një periudhe 8-javore, pjesëmarrësit u ndanë në tre grupe: një grup konsumonte dy kivi çdo ditë, një tjetër merrte suplemente me vitaminë C, ndërsa grupi i tretë merrte placebo.

Përmes pyetësorëve të përditshëm në telefon, pjesëmarrësit raportuan mbi energjinë, humorin, gjumin dhe aktivitetin fizik. Rezultatet, të publikuara në British Journal of Nutrition, treguan se ata që konsumonin kivi përjetuan rritje të ndjeshme të humorit dhe vitalitetit brenda vetëm 4 ditëve, ndërsa efekti maksimal u arrit pas rreth dy javësh.

Në krahasim, suplementet me vitaminë C filluan të jepnin rezultate më vonë, rreth ditës së 12-të, duke sugjeruar se burimet natyrale të vitaminës mund të jenë më efektive se ato artificiale.

Ekspertët theksojnë se përfitimet e kivit nuk ndalen vetëm te humori. Ky frut ndihmon tretjen, përmirëson përthithjen e hekurit, kontribuon në shëndetin e lëkurës dhe është një burim i rëndësishëm i acidit folik, veçanërisht i dobishëm për gratë shtatzëna.

Studimi përforcon idenë se ndryshime të vogla në dietë, si përfshirja e frutave të pasura me lëndë ushqyese, mund të kenë një ndikim real dhe natyral në shëndetin mendor dhe trupor, pa pasur nevojë për zgjidhje të komplikuara apo suplemente.