Cillian Murphy ka marrë vlerësime të larta për performancën e tij në filmin e ri të Netflix-it “Steve”, ku ai portretizon një drejtor shkolle të përballur me sfida të mëdha.
Aktori irlandez, i njohur nga “Peaky Blinders” dhe fitues i Oscar-it për “Oppenheimer”, është cilësuar nga kritikët si “magjepsës” dhe “i denjë për çmime”.
Shumë prej tyre i dhanë filmit katër nga pesë yje, duke e përshkruar si një nga dramat më të fuqishme të sezonit.
Filmi bazohet në romanin “Shy” të Max Porter dhe shpalos 24 orët vendimtare në një shkollë reformimi për djem problematikë, e njohur shpesh si “salla e pritjes për burg”. Krahas Murphy-t, në rol kryesor shfaqet edhe Tracey Ullman, e cila interpreton zëvendësdrejtoreshën me shpirt luftarak.
Kritikat ishin kryesisht entuziaste. “Radio Times”, “Empire”, “Metro” dhe “The Guardian” e përshkruan si një dramë “urgjente dhe të fuqishme”, ndërsa “Financial Times” i dha pesë yje, duke e quajtur Murphy-n “brilant dhe elokuent”. Edhe “Rolling Stone UK” theksoi se interpretimi i tij është ndër më të përkushtuarit e karrierës.
Megjithatë, jo të gjitha reagimet ishin në një linjë. “The Times” dhe “The Washington Post” u treguan më të rezervuar, duke i dhënë filmit tre yje dhe e cilësuan si një përvojë të ashpër dhe me ritëm maniak, por që përcjell një mesazh të vërtetë dhe prekës.
Pavarësisht debatit, “Steve” po shihet si një prodhim i rëndësishëm që rikthen Cillian Murphy-n në qendër të garës për çmime të mëdha kinematografike.