Aktori irlandez dhe fitues i çmimit Oscar, Cillian Murphy, ka bërë të ditur se do të marrë një vit pushim nga aktrimi. Lajmin e ka konfirmuar gjatë një interviste për “Deadline”, në kuadër të promovimit të filmit të tij më të ri për Netflix, “Steve”.
Po marr një vit pushim nga aktrimi. Nuk kam luajtur në asgjë të mirë për një kohë dhe po pres që Tim Mielants të më përfshijë në filmin e tij të radhës
-u shpreh Murphy.
Filmi “Steve”, i cili do të publikohet së shpejti, trajton historinë e një drejtori institucioni korrektues që përpiqet të mbajë nën kontroll nxënësit, ndërsa përballet me vështirësi të rënda të shëndetit mendor.
Ngjarjet zhvillohen gjatë një dite vendimtare dhe janë adaptim i romanit “Shy” të autorit Max Porter. Ky është bashkëpunimi i dytë mes Murphy dhe regjisorit belg Tim Mielants, pas filmit të vitit të kaluar “Small Things Like These”.
Murphy u shpreh me nostalgji për partneritetin me Mielants, duke e quajtur “të mrekullueshëm” dhe “me fat”.
Megjithëse ka vendosur të pushojë nga aktrimi, aktori nuk po largohet nga arti. Ai ka themeluar kompaninë prodhuese “Big Things Films” në bashkëpunim me producentin Alan Moloney dhe së fundmi ka blerë kinemanë “Phoenix” në Dingle, e cila do të shndërrohet në një qendër arti komunitar jofitimprurëse.
Përmes këtyre nismave, Murphy dëshmon se pasioni i tij për artin dhe komunitetin mbetet i fortë, edhe jashtë ekranit të madh.