Barry Keoghan ka folur hapur për anën e errët të famës, duke zbuluar se komentet negative dhe bullizmi në internet kanë ndikuar thellë në jetën e tij personale dhe profesionale.
Aktori, i njohur për rolin e tij në “Saltburn”, tregoi se sulmet, sidomos ato që lidhen me pamjen e tij, janë bërë aq të rënda, sa e kanë detyruar të tërhiqet nga jeta publike dhe të izolohet.
Në vitin 2024, ai vendosi të mbyllë llogarinë e tij në Instagram, megjithëse pranoi se herë pas here ende i lexon komentet online, të cilat shpesh janë negative.
Keoghan theksoi se kjo situatë ka filluar të ndikojë edhe në punën e tij si aktor, duke shtuar se ka momente kur nuk ndihet më i motivuar për t’u shfaqur në ekran.
Një shqetësim i madh për të mbetet edhe ndikimi që këto komente mund të kenë në të ardhmen tek djali i tij, Brando.
Megjithatë, ai u shpreh mirënjohës për fansat, duke nënvizuar se në jetën reale njerëzit janë shumë më mbështetës dhe të sjellshëm sesa në rrjet.
Sa i përket projekteve, aktori do të jetë pjesë e filmit “Peaky Blinders: The Immortal Man”, vazhdim i serialit të njohur me Cillian Murphy.
Ai gjithashtu ka luajtur në Crime 101 përkrah emrave të mëdhenj si Chris Hemsworth, Mark Ruffalo dhe Halle Berry.
Ndërkohë, një nga projektet më të mëdha që e pret është seria e katër filmave biografikë për The Beatles, nën regjinë e Sam Mendes, ku Keoghan do të interpretojë Ringo Starr.
Filmat pritet të dalin në kinema në vitin 2028, duke shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën e tij, pavarësisht sfidave personale që po përjeton.