Çokollata e zezë përmban një substancë që pengon plakjen. Quhet teobrominë dhe mund të ndihmojë në ngadalësimin e saj. Kjo sipas një studimi të botuar në revistën Aging dhe të kryer nga King’s College London.
Megjithatë, studiuesit paralajmërojnë se ngrënia e më shumë çokollate të zezë, nuk sjell automatikisht përfitime. Kjo sepse përmban edhe sheqerna, yndyrna e përbërës të tjerë. Rëndësia e këtij zbulimi qëndron në faktin se hap njohuri të reja mbi rolin që shumë substanca që gjenden në ushqimet e zakonshme mund të luajnë në shëndet.
Duke krahasuar nivelet e teobrominës në gjak me shënuesit biologjikë të moshës, sinjale që tregojnë moshën e dukshme të trupit bazuar në gjendjen e tij shëndetësore krahasuar me vitet e jetuara doli në pah se nivelet më të larta të teobrominës që qarkullojnë në gjak korrespondojnë me një moshë biologjike më të ulët se një moshë kronologjike.
I kryer në dy grupe europianësh, përkatësisht 509 dhe 1,160 persona, hulumtimi identifikoi “një lidhje midis një përbërësi kyç të çokollatës së zezë dhe aftësisë për të qëndruar më gjatë i ri, tha Jordana Bell, autore kryesore e studimit dhe profesoreshë e Epigjenomikës në King’s College London.
Ndërsa nuk po themi që njerëzit duhet të hanë më shumë çokollatë të zezë, ky hulumtim mund të na ndihmojë të kuptojmë se si ushqimet e përditshme mund të përmbajnë të dhëna për një jetë më të shëndetshme dhe më të gjatë.
Për të vlerësuar moshën biologjike, studiuesit shqyrtuan si ndryshimet kimike në ADN ashtu edhe gjatësinë e telomereve, struktura mbrojtëse që gjenden në skajet e kromozomeve e që shkurtohen progresivisht me kalimin e kohës. Një lidhje doli në pah midis teobrominës dhe moshës së reduktuar biologjike.
E njohur si helmuese për qentë, më parë, teobromina është shoqëruar me një rrezik më të ulët të sëmundjeve të zemrës. Vetëm tani po del në pah roli që duket se luan në ngadalësimin e plakjes.
Ky është një zbulim emocionues, vuri në dukje gjenetisti Ramy Saad i King’s College London, i cili beson se ndjekja e kësaj linje kërkimore mund të çojë në “zbulime të rëndësishme rreth plakjes”.