Film & Tv

Monster: The Ed Gein Story/ Homazhe me një ‘aftertaste’ arrogance!

Nëse filmave do t’u vendosnim një njësi matëse, ajo do të ishte persistenca e ndjesisë që lënë pas, cilado qoftë ajo. Në rastin e “Monster: Ed Gein”, pavarësisht se kanë kaluar pesë ditë, ende ndjej sikur jam një mizë në shtëpinë e tij — një mizë që pa gjithçka. Barazimisht pështirosje, barazimisht afeksionim.

Një ndjesi persistente, që të kujton se edhe në ditën më të bukur me diell, në parkun ku të gjithë po luajnë e shijojnë një pambuk sheqeri, aty ku të qeshurat mbushin ajrin — diku, në një qoshkë mes nesh, mund të jetë një vrasës serial po aq i pavetëdijshëm për mizorinë e tij sa Ed Gein. Ky sezon i ri i sagës Monster shërben si një rikujtesë e të vërtetës së hidhur:

Kurrë nuk do të jemi në dijeni të thellësisë së errësirës që dikush mban brenda vetes.

Mendoja se pas “The Lyle and Erik Menendez Story”, Brennan dhe Murphy, e kishin tejkaluar veten-ama gjykova gabim. Tashmë më duket sikur sezoni paraprijës ishte si ajo sallata që vjen sa për të të shtuar oreksin në mënyrë që ta shijosh vërtetë ‘biftekun’. Nëse ju magjeps mënyra e pashpjegueshme se si truri i njeriut funksionin, Monster “The Ed Gein Story” është zgjedhja e duhur për ju.

Për shkak se realiteti dhe portretizimi i Ian dhe Ryan janë njëkohësisht aq larg e aq afër njëri-tjetrit, po ju përshkruaj shkurt rrjedhën e ngjarjeve siç pasqyrohet në serial dhe realitet.

Ed Gein, një djalosh i thjeshtë nga Wisconsin, i cili kalonte ditët duke u kujdesur për fermën dhe kafshët, “pëson një kthesë” kur i bien në dorë disa imazhe nga Lufta e Dytë Botërore. Duke justifikuar krimet kundër hebrenjve si “të pranueshme”, monstra brenda tij zgjohet. Rritur nga një nënë ekstremisht fetare, për të cilën çdo femër ishte mëkat dhe instrument i djallit, Ed Gein kishte një perceptim thellësisht problematik mbi seksin, seksualitetin dhe dëshirat e veta.

Pas vdekjes së nënës (me të cilën ishte i obsesionuar), Ed fillon të grabisë varre. Dhe jo, nuk e kam fjalën për bizhuteritë ose rrobat brenda arkivolit, por për vetë kufomat. Do ta shmang të qenurit grafike dhe groteske, por po listoj vetëm krimet për të cilat Ed u akuzua, që të gjykoni vetë:

• Vrasja e dy grave, Bernice Worden dhe Mary Hogan;
• Gërmimi i mbi 12 varreve grash dhe grabitja e trupave (të paktën kaq pranoi vetë Ed);
• Ripërdorimi i lëkurës dhe kockave të kufomave si materiale për ndërtimin e llampave, tasave, maskave etj.;
• Krijimi i një kostumi të bërë nga copa trupash grash të vdekura, për të “ringjallur” të ëmën.

Pa dashur të shkatërroj fundin e serialit (dhe arsyen pse Ed Gein u arrestua — portretizuar besnikërisht ndaj realitetit për ata që do ta shohin), po zbuloj vetëm se, për shkak të diagnostikimit si skizofren, pas arrestit Ed kaloi pjesën e mbetur të jetës në një spital psikiatrik. Edhe pse detajet e lartpërmendura janë cka e shndërroi Ed Gein në vrasësin më famëkeq të Amerikës, gjenialiteti i “Monster” ishte: Charlie Hunnam (faleminderit që arritët të venisnit cdo lloj tërheqje që kisha ndaj tij) dhe ‘Homazhet’.

Historia e Ed Gein ka shërbyer si frymëzim për personazhe filmash si Norman Bates në Psycho, Leatherface në The Texas Chainsaw Massacredhe Buffalo Bill në The Silence of the Lambs. Ryan dhe Ian vendosin të përfshijnë në serial procesin e krijimit dhe xhirimet e këtyre filmave kult, duke rikrijuar skenat e tyre të famshme — një lëvizje që luan me nostalgjinë e audiencës.

Më ka mbetur ndër mend analogjia e pa artikuluar në film, mes fotove të Holokaustit që çliruan monstrën brenda Ed Gein dhe Psycho nga Alfred Hitchcock, që “normalizoi” vrasjet mizore dhe, siç sugjerohet në film, justifikoi ndërgjegjen e plot vrasësve të tjerë serialë. Përveç nostalgjisë dhe kënaqësisë që përjeton një fans i kinematografisë kur sheh një rikrijim, sado të shkurtër, të Psycho ose The Texas Chainsaw Massacre, nëse shikon nën sipërfaqe, mund të ndjesh një ton arrogance të fshehur aq bukur sa më duhet ta duartrokas. Ian dhe Ryan “i qanë” homazhet e tyre aq shumë, sa u duk sikur donin të thonin:

Ne po ju respektojmë, por dimë t’i realizojmë më bukur se ju, vetë krijimet tuaja!

Edhe pse për mua seriali është 10/10, shumica e kritikëve nuk ndajnë të njëjtin mendim. Rotten Tomatoes e ka vlerësuar me 17%, ndërsa The Guardian kishte shumë për të thënë mbi Ryan Murphy dhe pakujdesinë e tij regjisoriale, e cila herë pas here duket tendencioze në mosdiferencimin e homoseksualitetit dhe transgjinorëve nga vetë-urrejtja që manifestohet në abuzim. Ju sugjeroj ta lexoni vetë kritikën, e cila mbyllet me fjalinë:

Të paktën Gein ishte i sinqertë që donte të përzihej me kufomat; Monster mendon ose pretendon se po bën diçka më të sofistikuar se aq.

Paçka se kritika e lartpërmendur gjen “qimen”, Monster: The Ed Gein Story kishte plot “vrima” kur vjen puna tek mesazhi ose ajo ndjesia persistente që përmenda në fillim. Ajo që nuk qëndroi siç duhet me mua, madje më dha “dhimbje stomaku nga bifteku që mu servir”, ishte tempo ritmi i gabuar i serialit.

Vrasësi i pashpirt që shohim në episodet e para, drejt fundit shndërrohet në një njeri që ka reflektuar, që ndihmon në kapjen e Ted Bundy (tërësisht e trilluar), dhe madje duartrokitet nga vrasës të tjerë serialë në një vegim që ka teksa është duke vdekur. Dhe këto janë vetëm maja e ajsbergut kur vjen puna te agenda e normalizimit të Ed Gein që Murphy dhe Ryan po tentojnë të shtyjnë.

Në të njëjtën kohë, fokusi te viktimat është thuajse inekzistent. Ndoshta e qëllimshme, por moralisht problematike: mungesa e minutazhit për viktimat dhe kufomat e bën audiencën t’i shohë këto të fundit me sytë e Ed Gein — si copa mishi.