Showbiz

Dasma e Jeff Bezos dhe Lauren Sanchez nis me një festë madhështore në Venecia! Kush janë disa nga të ftuarit?

Fundjava e dasmës së shumëpërfolur mes miliarderit Jeff Bezos dhe të fejuarës së tij Lauren Sanchez ka nisur zyrtarisht në Venecia, me një festë mirëseardhjeje për të ftuarit VIP.

Ceremonia u mbajt pranë kishës historike Madonna dell’Orto, ndërsa Lauren magjepsi me një fustan të artë me supe të zbuluara dhe detaje baroke, i dizajnuar nga “Schiaparelli”.

Ajo kishte zgjedhur një model flokësh të ngritur lart me fije të harkuara, duke plotësuar një pamje elegante dhe glamuroze.

Bezos, nga ana tjetër, u shfaq me një kostum të zi klasik dhe syze dielli, ndërsa ndihmoi të fejuarën të hipte në taksinë e ujit që i çoi drejt vendit të festës.


Të ftuarit mbërritën me rreth 30 varka luksoze, nën masa të rrepta sigurie nga policia italiane. Mes personazheve të njohur që morën pjesë në këtë festë ishin Kim, Khloe dhe Kendall Kardashian, Kylie Jenner, Tom Brady, Orlando Bloom, Kris Jenner dhe partneri i saj Corey Gamble.


Kim Kardashian mahniti me një fustan të ngushtë me print gjarpri. Khloe u shfaq me një fustan elegant të zi. Kendall veshi një fustan me motive lulesh. Kylie Jenner zgjodhi një kombinim të artë me dantellë.

Edhe aktori Leonardo DiCaprio u pa me një kostum të zi klasik, ndërsa partnerja e tij Vittoria Ceretti kishte veshur një fustan gri me rrudha.

Oprah Winfrey kishte zgjedhur një fustan me ngjyrë vjollcë dhe të bardhë, ndërsa Gayle King u shfaq me një fustan të gjatë të dekoruar me zinxhir të artë.

Pavarësisht listës së ftuarve me yje të mëdhenj, atmosfera ishte e relaksuar dhe intime. Hapësira ishte zbukuruar me lule të bardha dhe vjollcë, ndërsa pizza e freskët përgatitej në vend, shoqëruar nga një tastierist që luante live, duke e kompletuar ambientin festiv.

Çifti, që mbërriti ndër të fundit, u shoqërua nga një eskortë e fortë sigurie. Në një moment të veçantë, ata u ndalën për një puthje romantike, përpara se të hynin në ambientin e zbukuruar të festës.

Detajet e ceremonisë martesore janë mbajtur të fshehta, ndërsa organizimin e dasmës e kanë marrë përsipër “Lanza & Baucina Limited”, kompania që qëndron pas dasmave të George dhe Amal Clooney, si dhe Salma Hayek dhe François-Henri Pinault.

Sipas organizatorëve, ndikimi në qytet pritet të jetë minimal, pavarësisht interesit të lartë mediatik dhe fluksit të vizitorëve në Venecia për këtë ngjarje luksoze që pritet të përfundojë me një ceremoni madhështore në fundjavë.