Aktualitet

Deklarimet e dyshimta të pasurisë, ILDKPKI referoi 37 raste zyrtarësh!

Vitin e kaluar, të paktën 37 raste referimesh penale e të tjera shkuan pranë Prokurorisë, Hetimit Tatimor, Parandalimit të Pastrimit të Parave apo Policisë së Shtetit nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit.

Në raportin vjetor të këtij institucioni nënvizohet se në periudhën 2014-2022, në këto institucione u referuan 555 subjekte, përfshirë deputetë, kryebashkiakë, gjyqtarë, prokurorë, drejtorë të përgjithshëm.

Gjatë 2022-shit, në kontroll të plotë, ILDKPKI miratoi e kaloi 806 subjekte deklaruese, si për shkak funksioni, ashtu dhe bazuar në informacione të ardhura nga burime të ligjshme. Në periudhën raportuese, në total janë 128 masa administrative me “gjobë”.

Sipas përcaktimeve ligjore, zyrtarët kanë detyrimin e deklarimit të pasurisë në një sistem elektronik. Për vitin e kaluar, numri i deklaratave të administruara nga Inspektorati i Lartë është 3 mijë e 975 të interesave privatë. Të ndara sipas llojeve, rezultojnë këto të dhëna statistikore:

Deklarata Periodike Vjetore për Subjekte në Funksion (për vitin deklarues 2021) – 2785 deklarata; – Deklarata Para Fillimit të Detyrës (2022) – 544 deklarata; – Deklarata Pas Largimit nga Funksioni (2022) – 438 deklarata; – Deklarata Kandidatë (2022) – 208 deklarata.

Inspektorati vlerëson se në rastet e vendosjes së gjobave nga zyrtarët që janë gjendur në shkelje pati edhe çështje që përfunduan në gjykatë.

Gjatë vitit raportues, Inspektorati i Lartë i Deklarimit e Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave aplikoi 128 sanksione, masë administrative me “gjobë”, për mosdeklarim të interesave privatë, konflikt të interesave, si dhe për shkelje të Ligjit nr. 60/2016 “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”, i ndryshuar.

Nga këto, pranë organeve gjyqësore u ankimuan 21 vendime. Deri në momentin e raportimit, gjykata vendosi në mbështetje të vendimeve të marra nga ILDKPKI për 6 vendime.

Për më tepër, për 13 vendime masë administrative “gjobë”, që u përkasin viteve të mëparshme, përfunduan gjykimin gjatë 2022-shit, duke u vendosur lënia në fuqi e masës administrative të dhënë nga ILDKPKI.

Ndërkohë, janë të paktën 33 vendime që kanë kaluar si titull ekzekutiv dhe që në veprim hyri Përmbarimi. Të paktën 11 vendime i takojnë vitit 2022, ndërsa në 38 raste, gjobat janë shlyer vullnetarisht./Monitor