Rajoni

Dështon sërish konstituimi i Kuvendit të Kosovës/ Hekuran Murati nuk zgjidhet kryeparlamentar!

Dështon sërish konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Hekuran Murati ka dështuar që të zgjidhet kryeparlamentar, pasi mori vetëm 57 vota. Kundër ishin 51 dhe gjashtë abstenuan. Seanca u ndërpre pas kësaj. Kryesuesi tha se seanca vazhdon në orën 24 gusht në orën 11:00.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se PDK-ja nuk votoi për Hekuran Muratin, pasi, sipas tij, ky subjekt politik e ka bërë të qartë se nuk voton ministrat e qeverisë së kaluar.

Krasniqi tha se Vetëvendosje propozoi emrin e Hekuran Muratit për kryetar të Kuvendit, pavarësisht se e ka ditur që ai nuk do t’i merrte votat e nevojshme për këtë pozitë.

Ai shtoi se “LVV nuk po dëshiron të konstituojë Kuvendin” dhe të zvarrisë formimin e institucioneve të reja.

Shteti i Kosovës është në gjendje të jashtëzakonshme të pashpallur. Kështu e përshkruan situatën institucionale në Kosovë, politologu Dritëro Arifi, profesor në Kolegjin UBT në Prishtinë. Sipas tij, kjo gjendje është pasojë e dështimit të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për të përmbyllur konstituimin e këtij institucioni .