Aktualitet

Detaje nga vrasja e biznesmenit në Sarandë/Identifikohet autori i dyshuar!

Detaje të reja nga ngjarja e rëndë që dje tronditi Sarandën, ku u qëllua me plumb në kokë dhe mbeti i vrarë biznesmeni Rexhep Ismaili. Dyshohet të jetë ekzekutuar pas një konflikti për motive pronësie. Autori u identifikua si shtetasi Lulzim Tabaku.

Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ndodhi mbrëmë rreth orës 21:30, në zonën e Qafë Gjashtës, në ambientet e lokalit dhe karburantit në pronësi të 66-vjeçarit Ismaili, i njohur në zonë si biznesmen dhe aktivist i shoqatës atdhetare-kulturore “Çamëria” për degën e Sarandës.

Fillimisht, konflikti nisi me sende të forta mes disa personave dhe më pas u përshkallëzua në përdorimin e armëve të zjarrit. Gjatë të shtënave, Ismaili u qëllua me plumb në kokë, duke humbur jetën në vend.

Burime nga hetimi bëjnë me dije se autori i dyshuar ka shkuar i armatosur në ambientet e biznesit të viktimës, duke hapur zjarr në drejtim të tij, ndërsa 66-vjeçari ndodhej i ulur në tavolinë me persona të tjerë. Pas të shtënave, ata që ishin në lokal reaguan me armë automatike e qëlluan me breshëri drejt autorit, i cili arriti të largohet nga vendngjarja.

Ka dyshime për një person të plagosur, ende i paidentifikuar dhe që nuk është paraqitur për ndihmë mjekësore.

Policia ka ngritur pika kontrolli e po kreh zonën për kapjen e autorit dhe të tjerë individëve të përfshirë në konflikt. Njëkohësisht po ushtrohen kontrolle në spitale e klinika private për identifikimin e të plagosurit të dyshuar.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj, ndërsa pista kryesore mbetet ajo e një konflikti të mëparshëm.