Një studim ndërkombëtar i publikuar në British Journal of Cancer ka nxjerrë në pah një lidhje të rëndësishme mes dietës vegjetariane dhe rrezikut për disa lloje kanceri.
Sipas kërkimit, personat që nuk konsumojnë mish kanë më pak gjasa të zhvillojnë pesë forma të ndryshme të sëmundjes, krahasuar me ata që përfshijnë mishin në regjimin e tyre ushqimor.
Studimi përfshiu të dhëna nga mbi 1.8 milionë persona në tre kontinente, duke u bërë një nga analizat më të mëdha të këtij lloji mbi lidhjen mes dietave pa mish dhe kancerit.
Gjetjet kryesore tregojnë se vegjetarianët kishin:
– 21% rrezik më të ulët për kancer të pankreasit
– 9% rrezik më të ulët për kancer të gjirit
– 12% rrezik më të ulët për kancer të prostatës
– 28% rrezik më të ulët për kancer të veshkave
– 31% rrezik më të ulët për mielomë multiple, një formë kanceri e gjakut
Megjithatë, rezultatet nuk janë plotësisht lineare. Studiuesit vunë re se vegjetarianët shfaqnin pothuajse dyfish rrezik për kancerin e ezofagut të tipit “squamous cell carcinoma”, krahasuar me personat që konsumojnë mish.
Sipas ekspertëve, kjo mund të lidhet me mungesën e disa lëndëve ushqyese specifike në dietat pa produkte shtazore.
Autorët e studimit theksojnë se gjetjet tregojnë një lidhje statistikore mes stilit të të ushqyerit dhe rrezikut për kancer, por nuk provojnë drejtpërdrejt shkak-pasojën.
Për këtë arsye, kërkohen studime të tjera për të kuptuar më mirë mekanizmat biologjikë që qëndrojnë pas këtyre dallimeve.
Ekspertët e shëndetit publik rekomandojnë një dietë të pasur me fruta, perime dhe fibra, si dhe kufizimin e mishit të përpunuar, si pjesë e një stili jetese që mund të ndihmojë në uljen e rrezikut për disa lloje kanceri.