Aktualitet

Dosja “Partizani”, hiqet arresti i shtëpisë për Jamarbër Malltezin!

Gjykata e Posaçme sot vendosi heqjen e masës së sigurisë “Arrest në shtëpi” për Jamarbër Malltezin, dhëndrin e kryedemokratit Sali Berisha. Kjo masë iu caktua prej nëntorit të vitit 2023. GJKKO-ja e mori këtë vendim, kundrejt një garancie pasurore prej 3 milion lekësh, të vënë në dispozicion nga Malltezi, i akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash.

Në një tjetër zhvillim, po sot u mësua se u rrëzua kërkesa e gjyqtares Elsa Ulliri për t’u tërhequr nga gjykimi i çështjes “Partizani” për konflikt interesi pasi argumentoi se është e afërme me deputeten demokrate Andia Ulliri.

Më herët gjatë ditës, sot në SPAK ishte Sali Berisha, në zbatim të masës “Detyrim për paraqitje”. Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, kryetari demokrat lexoi edhe një mesazh, që sipas tij, ia la në tavolinë kreut të Prokurorisë së Posaçme. Në këtë mesazh, Berisha u shpreh se Altin Dumani është delikuenti numër 2 për kriminalitetin në Shqipëri, siç theksoi, pas kryeministrit Rama.

Altin Troplini me mbrojtjen që u bën karteleve të drogës në Shqipëri, krimeve zgjedhore dhe krimeve të rënda mjedisore, këto dy të fundit fund e krye qeveritare, dëshmon se pas Ramaduros është de facto përgjegjësi më kryesor, delinkuenti numër 2 për kriminalitetin në Shqipëri. Kjo, u la në këtë prokurori.

Duke komentuar procesin për dosjen “Partizani”, u shpreh se ende nuk kishte marrë njoftim zyrtar për datën e gjyqit, duke sqaruar se arsyeja e mungesës së këtij njoftimi ishte udhëtimi jashtë vendit. Ndërkaq, bëri të ditur se megjithatë, u njoftua për shtyrjen e procesit për më 21 korrik, por se nuk kishte marrë shkresë zyrtare në lidhje me këtë çështje.

Dy gjëra. Unë njoftim zyrtar, siç duhet, nuk kisha marrë, por nuk ishte ajo arsyeja. Arsyeja ishte se, unë isha në një udhëtim, siç mund ta keni marrë vesh. Por, e vërteta është se, njoftimi zyrtar nuk kishte ardhur. Janë avoketërit e mi, ata të cilët përcaktojnë vendimet. Gjer tani, unë njoftim zyrtar nuk kam marrë, por unë nuk mund të them se nuk kam marrë, se ajo është dhënë në media që është shtyrë gjyqi për në datën 21. Por, shkresë nuk kam marrë.