Politikë

Dy orë në SPAK për ’21 Janarin’, Berisha: Garda zbatoi ligjin, nuk pati urdhër për të qëlluar!

Sali Berisha ka dëshmuar këtë të mërkurë në SPAK për rreth 2 orë për herë të parë për dosjen “21 Janari”, ku në vitin 2011 humbën jetën 4 protestues para kryeministrisë.

Pasi doli prej andej, Berisha pretendoi para mediave se nuk ka pas asnjë urdhër për të qëlluar ndaj protestuesve më 21 janar 2011.

“Garda nuk funksionin me urdhër, por funksionon me ligj. Garda dhe çdo vendroje e armatosur funksionon me ligj, e qëllove, duhet të qëllojë në ajër, po insistove, duhet të qëllojë te këmbët, vazhdove sërish, duhet të neutralizojë. S’ka pasur urdhër. Asnjë urdhër nuk është dhënë për të qëlluar. Asnjë urdhër dhe kurrë”, tha Berisha.

Ai akuzoi Partinë Socialiste si organizatore të dhunës në protestë dhe sulmoi sërish kryeprokurorin Altin Dumani.

“Autoritetet ndërkombëtare, qeveria e SHBA-ve, ka deklaruar dhe rideklaruar se më 21 janar, PS kishte agjendë dhunën: ku janë  mbështetësit e saj, nuk janë këtu! Kishte agjendë dhune. Pikërisht kjo deklaratë është bërë shkak që të mos thirrem unë për t’u pyetur për një ngjarje dramatike që i kushtoi jetën 4 proteuseve, plagosjen 120 policëve, – u shpreh Berisha. – Dëshminë time do gjeni në ato që kam thënë. Nëse këta që ishin aty, zhvilluan procedurë me ligjin dhe rregullat, kjo s’mund të thuhet për Dumanin, që po pinte kafe me Kreshnik Farrukun. I shkoi dhe në Manzë. Ai hesht, por unë s’do hesht. Thirrja për të dëshmuar është procedurë normale, por jo publike. Të thërret, pyet, shkon, kurse Altin Troplini (Dumani), pa marrë unë njoftimin, ia shpërndau mediave në një akt të shëmtuar duke dëshmuar se institucioni i tij është banal propagande i PS”, tha Berisha.

Kjo është hera e parë që Berisha pyetet mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur 14 vite më parë gjatë protestës përballë kryeministrisë ku ndaj protestuesve u hap zjarr luftarak duke lënë 4 të vdekur dhe disa të plagosur.

Për të njëjtën çështje është marrë në pyetje më herët edhe ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha. Thirrja e Berishës bëhet rreth një vit e gjysmë pasi SPAK mori dosjen e ngjarjes me 4 viktima: Hekuran Deda, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika.

Ngjarja, e cila më parë u trajtua si “vrasje nga pakujdesia”, u rikthye në hetim pas vendimit të Gjykatës së Lartë më 12 mars 2024, që urdhëroi SPAK-un ta hetojë si krim shtetëror dhe të përcaktojë përgjegjësinë e drejtuesve të lartë të kohës, përfshirë Berishën, ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi.

Për çështjen, në procesin fillestar u dënuan vetëm Prendi me 1 vit burg dhe efektivi Agim Llupo me 3 vite burg.

Në korrik 2024, SPAK regjistroi procedimin penal për tre akuza: vrasje në rrethana të tjera cilësuese në bashkëpunim, shpërdorim detyre dhe pengim të zbulimit të së vërtetës, të gjitha të kryera në bashkëpunim.

Berisha ka mohuar përgjegjësinë duke pretenduar se nuk ka qenë ai personi që ka dhënë urdhër për të qëlluar ndaj protestuesve dhe se gardistët kishin vepruar vetëm në bazë të rregullores që u ishte përcaktuar në raste të tilla të vështira.