Tech Top Tech - News

E dini se Nvidia po bën lëvizje të mëdha në Britani? Së shpejti me Robotaxi…

Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.

Robotaxi

E dini se Nvidia po bën lëvizje të mëdha në Britani? CEO Jensen Huang zbarkoi në Londër me një premtim prej 2 miliardë paundësh për të fuqizuar startup-et e inteligjencës artificiale. Një nga përfituesit kryesorë pritet të jetë Wayve, një startup britanik që merret me makina vetë-drejtuese. Nvidia ka firmosur një letër marrëveshjeje për të investuar 500 milionë dollarë në raundin e ardhshëm të financimit të Wayve.

Wayve është interesant sepse ndryshe nga sistemet e tjera të makinave autonome, nuk përdor harta me kualitet të lartë. Software-i i tyre bazohet vetëm tek të dhënat: makina mëson vetë, si një nxënës që bën praktikën e patentës. Me kamerat dhe radarët ekzistues, sistemi merr informacion në kohë reale dhe vendos vetë si të ngasë. Pra nuk ke nevojë për GPS që të të tregojë çdo kthesë, makina “e kupton” vetë.

Nga ana tjetër, Tesla ka hapur zyrtarisht shërbimin Robotaxi në Kaliforni dhe shumë shpejt edhe në Nevada. Pra në Amerikë mund të thërrasësh një taksi që nuk ka shofer, që të hap derën dhe bagazhin, të përshëndet dhe ndoshta edhe të mbulon kur të zë gjumi. Kurse këtu tek ne? Ti i fishkellen dhe ja ben me duar taksistit dhe prapë bën sikur nuk të dëgjon.