Një nga muzikantët më të suksesshëm të ditëve të sotme, Ed Sheeran, ka zbuluar se jeta e tij e përditshme është shumë më rutinë sesa mund të imagjinohet.
I ftuar në emisionin “Heart” me Mark Wright dhe Olly Murs, këngëtari britanik foli për balancën mes punës dhe jetës familjare, si dhe për procesin e tij krijues.
Sheeran, i cili së fundmi u rikthye me këngën e re “Azizam”, theksoi se puna nuk ka më përparësi ndaj familjes.
Ai dhe bashkëshortja e tij, Cherry Seaborn, janë prindër të dy vajzave – Lyra, 4 vjeçe, dhe Jupiter, 2 vjeçe.
Është jashtëzakonisht e rëndësishme për mua ta balancoj atë. Kam ndryshuar orarin tim të punës sepse muzika është shumë fluide, filloja në studio në tetë të natës dhe mbaroja në tetë të mëngjesit… Por tani kam një ditë pune të rreptë nga ora 9 e mëngjesit deri në 5 pasdite, në mënyrë që të mund të jetoj një jetë relativisht normale. Ndihem si një baba normal që punon – shkoj në punë në nëntë dhe kthehem në shtëpi në pesë, dhe më pas bëj një jetë normale.
Artisti foli edhe për mënyrën si krijon muzikë, duke thënë se procesi duhet të jetë i natyrshëm dhe i pandikuar nga presioni.
Përpiqem të shkruaj çdo javë dhe nëse më del një këngë në muaj, jam i lumtur
Përkundër famës dhe sukseseve të shumta në karrierë, këngëtari duket se ka zgjedhur një ritëm jete më të thjeshtë, duke vënë familjen në qendër të prioriteteve të tij.