Aplikimi për një punë mund të jetë sfidues, veçanërisht kur konkurenca është e madhe dhe koha e menaxherëve të punësimit është e kufizuar. Sipas një raporti të CareerBuilder, pothuajse 25% e menaxherëve të punësimit shpenzojnë më pak se 30 sekonda për të shqyrtuar një CV.
Leximi i një CV-je është si të lexosh një ese
– thotë Gorick Ng, këshilltar karriere në Harvard dhe autor i librit “Rregullat e Pashprehura”. Ai thekson se shumë prej këshillave që na jepeshin në shkollë për shkrimin e eseve vlejnë edhe për ndërtimin e një CV-je – sidomos sa i përket gjuhës që përdorim.
Sipas Ng, ekzistojnë disa fjalë dhe fraza që, në vend që të ndihmojnë, mund të dëmtojnë përshtypjen që lë një aplikant. Më poshtë janë tre prej tyre që këshillohet t’i shmangni:
Ndajfolje dhe mbiemra të tepërt, si “shumë”
Fjalë si “shumë i motivuar” ose “jashtëzakonisht i përkushtuar” mund të duken si përpjekje për të treguar veten, por shpesh kanë efekt të kundërt.
Këto fjalë zakonisht tregojnë një përpjekje të panevojshme për t’u dukur të aftë. Përdorni folje konkrete që tregojnë veprim dhe rezultat
-shpjegon eksperti.
Fjalë që përshkruajnë karakterin tuaj
Fraza si “i orientuar drejt detajeve” ose “punëtor i palodhur” janë subjektive dhe nuk japin prova të prekshme për aftësitë tuaja.
CV-ja duhet të flasë vetë. Nëse është e saktë, pa gabime dhe e qartë, do të tregojë që jeni i kujdesshëm dhe profesionist – pa qenë nevoja të e thoni vetë
-shton Ng.
“Rekomandime nëse kërkohen”
Kjo është një frazë që zë hapësirë dhe konsiderohet e tepërt.
Punëdhënësit e dinë që mund të kërkojnë rekomandime nëse kanë nevojë. Përdorni atë hapësirë për të përfshirë një aftësi shtesë, një projekt të rëndësishëm apo ndonjë certifikatë relevante
-sugjeron eksperti.
Në fund, Ng këshillon që çdo CV të kontrollohet me kujdes:
Shikoni çdo fjalë, çdo rresht dhe çdo pikë. Pyeteni veten: ‘A do ta kuptonte këtë një i huaj?’ Nëse po, jeni në rrugën e duhur.