Live From Tirana

Eksperti Arbër Xhihani: “Rritja e numrit të turistëve çon në rritje të punësimit…”

I ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë Arbër Xhihani, ekspert punësimi. Ai ka folur më shumë për lidhjen që eksizton mes turizmit dhe punësimit, si dhe çfarë problematikash ka ky sektor…

Si ndikon rritja e turistëve në zhvillimin e punësimit?

Për ta kuptuar pak në shifra këtë, duhet të rikthehemi 10 vite më herët. Po dëgjoja para disa kohësh një intervistë të ekspertëve të turizmit para 10 viteve, reklamonin si një arritje lidhjen e kontratave me turistë kryesisht të moshës së tretë, të cilët vinin dhe vizitonin Shqipërinë. Vinin jashtë sezonit veror për të kaluar ato pak muaj dhe kishin shifra 500 mijë apo 600 mijë turistë në vit. Ndërsa tani kemi kaluar në shifra 12 milionë apo 14 milionë, që priten të mblidhen në 2025. Pikërisht kjo rritje eksponenciale e numrit të turistëve, është përkthyer drejtpërdrejtë në rritje të kërkesës për punësim, qoftë të punonjësve shqiptarë, dhe në rastin kur ka pasur mungesë të punonjësve shqiptarë, me marrjen e punonjësve të huaj.

Ka pasur shumë përgatitje për ta kthyer turizmin, nga një turizëm sezonal në një turizëm të qëndrueshëm. Jo më larg se 2024, u hartua dhe një strategji kombëtare e turizmit 2024-2030, pikërisht për të lidhur të gjitha bukuritë apo të gjitha ofertat që mund të ketë secila zonë në Shqipëri dhe për ta lidhur atë me pjesën e turizmit sezonal dhe për të zgjatur angazhimin e turistëve në Shqipëri jo vetë gjatë muajve të verës, por edhe përtej saj. Duhet të themi që edhe sezoni i turizmit veror, nuk është më vetëm në tre muajt e verës, por fillon në fund të prillit dhe nëse koha është e mirë, kalon përtej tetorit. Kështu që kemi mbi 6 muaj një angazhim të vazhdueshëm të turistëve dhe kjo përkthehet edhe në një angazhim të vazhdueshëm të punonjësve. Akrualisht në vitin 2024, kemi patur mbi 380 mijë të punësuar në sektorin e turizmit apo në shërbime të tjera që lidhen me sektorin e turizmit. Kështu që janë shifra shumë të rëndësishme për ekonominë shqiptare dhe sidomos për tregun e punës në Shqipëri.