Art & Kulturë

“Embraced by the Light” nga Betty J Eadie. Kritikë.

Një nga defektet që ja njoh vetes është të mos jem në gjendje të mos mbaroj një libër apo një film sado i ‘dobët’ të më duket, sado të mos jem dakord, të jem skeptik apo thjesht të jem duke menduar ‘çfarë është ky budallallëk që po më merr kohën?’. Kjo jo sepse nuk jam i ndërgjegjshëm për vlefshmërinë e kohës, përkundrazi jam një ekonomizues dhe programues i mirë i saj, madje me kalimin e viteve mund të them se jam bërë edhe më i mirë. Por ngase mendoj se prej çdo gjëje mund të nxjerrësh diçka, diçka që do të duhet ta përdorësh diku, në një mënyrë apo në një tjetër, çdo gjë që nis duhet ta çoj deri në fund.

Skeptik për rrëfimet e qindra njerëzve për përvojën e tyre mbas ‘një vdekje të përkohshme dhe kthimi mbrapsht’ por i vendosur për të çuar në fund “Embraced by the Light” të gruas që në moshën 31 vjeçare pati një përvojë të tillë, mund t’ju them se me kalimin e viteve gjithashtu njeriu bëhet më pak skeptik dhe më shumë pranues, aq më tepër për gjëra që edhe shkenca vetë nuk ka prova të mjaftueshme për të dalë në një përfundim të pranuar botërisht (dhe jo nuk është e njëjta gjë si me tokën e sheshtë).

Fetë dhe këndvështrimet filozofike për jetën dhe vdekjen (e atë që ndodh pas saj) janë të shumta të ndryshme e të ngjashme nëpër cepat e botës. Shumë fé bëhen bashkë në besimin se shpirti vazhdon të jetojë edhe pas vdekjes fizike në një formë apo realitet tjetër nga ky që njohim. Ri-mishërimi, Parajsa dhe Ferri janë gjithashtu forma të tjera të cilat ndajnë fiziken nga shpirtërorja. Por ka edhe nga ata (filozofia materialiste) të cilët besojnë që me vdekjen gjithçka mbaron. Fundi; The End.

Një shprehje thotë:

A do të vërtetën, apo diçka të bukur?

Nëse ajo më lart do ishte absolutisht e vërtetë, do ishte trishtë, pesimiste madje. Ndaj mbase teoria e ‘jetës pas vdekjes’ mund të jetë një mënyrë e njeriut për t’i dhënë më shumë shpresë vetes kur ka humbur dikë të dashur, apo për t’i bërë ballë vdekjes. A ka jetë mbas vdekjes?- është një e vërtetë askush nuk mund ta thotë me siguri. Nga ana tjetër ata që kanë përjetuar NDEs (Near Death Experiences / Përvoja afër vdekjes) janë të shumtë dhe tregimet e tyre të imtësishme për çka kanë parë apo ndjerë janë të vështira për t’u injoruar.

Të gjithë ata që kanë përjtuar diçka të tillë kanë disa elemente të përbashkët: ndjesinë e largimit nga trupi, ecja në mes të një tuneli, takim me figura të dashura shpirtërore, ndjesinë e paqes dhe dashurisë dhe një ‘rishikim’ i jetës. Nuk dihet nëse kjo është një formulë e gatshme apo një përvojë autentike.

Autorja e “Embraced by the Light’ është njëra prej tyre, dhe ky është një nga librat më të lexuar në SHBA, një libër që ka ndihmuar shumë njerëz e familje në kohë titubante. Nga pikëpamja shkencore, truri nuk është organi i fundit i njeriut që vdes, për shkak të kërkesës së tij të lartë për oksigjen, nëse ky i fundit nuk arrin të merret nga organizmi. Sidoqoftë është truri që sipas disa teorive shkencore shkakton përjetimet e NDE ne momente të kërcënimit të jetës me një aktivitet më të gjërë elektrik në disa zona të tij të cilat sugjerojnë përjetime dhe ndjesi të tjera ose të reja.

Betty J Eadie tregon në libër një botë të tërë duke përshkruar sesi doli nga trupi i saj, u takua me figura të dashura shpirtërore, u përqafua nga një prani hyjnore që e identifikon si Jezusi, dhe mori njohuri për jetën, qëllimin e ekzistencës dhe dashurinë universale të Zotit. Eadie për shkak të fëmijërisë së saj, e rritur në një shkollë murgeshash kishte patur deri në atë moment një marrëdhënie të koklavitur me besimin dhe Zotin.

Përshkrimi i saj është i pabesueshëm për të (mos) qënë i vërtetë. Me një ton të butë, plot ngushëllim dhe shpresë, rrëfimi intim i autores është indjerë dhe shpresdhënës, sidomos nëse je në udhëkryq, beson apo nuk beson në ato që ka shkruar. I qartë dhe prekës libri mundohet të tregojë diçka që shkenca nuk e shpjegon dot, sepse kjo e fundit mund të shkojë deri në një pikë. Edhe pse mund të duket si një libër fetar në një shikim të përciptë mesazh i saj për dashuri, falje dhe unitet shpirtëror (marrë nga bota që vizitoi për pak kohë) kalon kufijtë e fesë tradicionale.

Përpos këtyre është e vështirë të mos ta kategorizosh përvojën e saj si tejet subjektive të vështirë për t’u provuar në mënyrë objektive. Imazhet që ajo përshkruan janë të ngjashme me ato që përshkruhen në librat e fe-së së saj (ose familjes) (drita qiellore, Jezu Krishti etj) që janë të vështira për t’u pranuar nga një lexues laik ose i një besimi tjetër.

Megjithatë “Embraced by the Light” është një libër që nëse ju bie në dorë duhet të lexohet jo aq për faktet që sjell sesa për mesazhin emocional që përçon. Në momentet tona më të dobëta është besimi ai që na mban, ai që na çon përpara, faktet dhe arsyeja na kanë lënë në vend, ndaj edhe sikur ta merrni këtë si metaforë për të vazhduar ta jetoni jetën me dashuri dhe mirësi, mjafton.