Reperi i njohur amerikan, Eminem thuhet se është në një lidhje me grimieren dhe stilisten me origjinë shqiptare, Katrina Malota. Sipas një burimi të afërt me artistin, i cili ka folur për mediat amerikane si TMZ, marrëdhënia profesionale mes dyshes është kthyer në një romancë. Ende nuk dihet saktësisht se kur ka nisur lidhja, por burimi konfirmon se tashmë ajo ka kaluar përtej kufijve të bashkëpunimit.

Katrina Malota, e cila jeton në Michigan, ka qenë pjesë e stafit të Eminem prej vitesh, duke punuar në videoklipe muzikore dhe projekte të tjera të rëndësishme. Në faqen e saj zyrtare thuhet se ajo ka bashkëpunuar gjithashtu me emra të njohur si Snoop Dogg, Robin Thicke dhe 50 Cent. Jashtë turneve dhe projekteve muzikore, Malota ushtron profesionin e saj në një sallon bukurie të njohur në Birmingham, Michigan.
Reperi legjendar dhe fituesi i 15 çmimeve “Grammy”, Eminem, do të zgjerojë familjen e tij, pasi vajza e tij e adoptuar, Alaina Marie Scott, ka njoftuar se është në pritje të fëmijës së saj të parë me bashkëshortin, Matt Moeller. Lajmi u bë publik përmes një postimi të ëmbël në Instagram të dielën, më 12 tetor, ku Alaina ndau emocionin e madh me ndjekësit e saj. Foshnja e ardhshme do të jetë nipi i dytë i reperit, pas lindjes së djalit të vajzës së tij biologjike, Hailie Jade, dhe bashkëshortit të saj, Evan McClintock, në mars të këtij viti.
Ndërkaq, Eminem ka vendosur të përballet me gjigantin e teknologjisë Meta. Reperi dhe labeli i tij Eight Mile Style kanë ngritur një padi kundër Meta Platforms, pronarit të Facebook, Instagram dhe WhatsApp. Ata e akuzojnë gjigantin e teknologjisë për shkelje të të drejtave të autorit dhe kërkojnë më shumë se 95 milionë euro, sipas dokumenteve gjyqësore të paraqitura më 30 maj dhe të siguruara nga E! News. Në padi, Eminem (emri i vërtetë Marshall Mathers) pretendon se Meta shkeli të drejtën e autorit të 243 këngëve nga katalogu i tij duke “ruajtur, riprodhuar dhe shfrytëzuar pa autorizim” ato vepra në platformat e tij.