Art & Kulturë

“Encounter” nga Milan Kundera. Kritikë.

Autori i 3 librave me ese dhe dhjetra romaneve, çeku Milan Kundera në këtë libër të katërt të zhanrit vazhdon të ledhatojë lexuesin me faqe të shkruara butë por me mesazhe të forta dhe kuptim-plota. I arratisur nga tmerri i komunizmit në kohën e Çekoskllovakisë, Kundera u vendos në Paris, ku vijoi të shkruajë në gjuhën frënge. Sidoqoftë bashkë me lirinë dhe të bukurën Parisi i solli edhe një ndjesi tjetër…

“Po jetojmë në epokën post-artistike, në një botë ku arti po vdes. Nevoja për artin, ndjeshmëria dhe dashuria për të, po vdes”

Dhe faqet e këtij libri janë një përçapje e autorit për të mbajtur dashurinë për artin dhe artistët të gjallë, për të shmangur, mbase, të pashmangshmen. Në 26 esetë e këtij libri disa janë të gjata (si psh. “Çfarë do të ngeli prej teje, Bertolt?”) të tjera, vetëm disa faqe.

Për një artikull që rendiste 18 gjenitë e shekullit të XX, ku mes të tjerëve ishin emrat e Coco Chanel, Maria Callas, Bill Gates, Le Corbusier, Picasso, Yves Saint Laurent dhe më pak i njohuri prej tyre, profesori i astronomisë Robert Noyes, Kundera komenton

“Asnjë shkrimtar, asnjë poet, dramaturg, filozof, asnjë arkitekt, një piktor i vetëm, ama dy ‘rrobaqepës’ asnjë kompozitor, dhe vetëm një regjisor – nga të gjithë ata të shekullit 20, gazetari zgjedh Kubrick, as Eisensteinin, Chaplinin, Bergmanin apo Fellinin. Kjo tregon një marrëdhënie të re që ne kemi me letërsinë, filozofinë, me artin në tërësi”

Monografitë e fundit të shekullit të shkuar, në vend të përqëndroheshin në punët dhe arritjet e këtyre individëve të jashtëzakonshëm, u përqëndruan tek dritë-hijet e parëndësishme e tejet personale – sepse ato bënin bujë në median konsumiste – duke na çuar në një shoqëri persekutuese.

Në librin biografik, prej 800 faqesh të Bertolt Brecht, harxhohet shumë kohë duke u marrë me të si individ (homoseksualiteti i fshehur, erotamania, idetë pro staliniste, madje një kapitull i tërë për erën e tmerrshme të trupit të tij, sipas dëshmisë së një gruaje).

Kundera duke analizuar këtë, ngre pyetjen satirike “Ah, Bertolt, çdo të ngeli prej teje në të ardhmen?…”

Do të njihni shumë artistë të harruar, nën-vlerësuar, apo të lënë pa vëmendjen e merituar, duke shfletuar “Encounter”. Juan Goytisolo, Céline, kompozitorin tejet të veçantë Iannis Xenakis (me të cilin do të harxhoni kohë në YouTube), Aimé Césaire, piktorin Ernest Breleur e shumë të tjerë. Kundera mbron atë që perceptohet si shëmtia e Francis Bacon duke e krahasuar me Samuel Beckett.

“Një botë ku dikush lexon (Bohumil) Hrabal është shumë më e ndryshme nga një botë ku zëri i tij nuk dëgjohet. Një libër i vetëm i tiji bën shumë më tepër për një shoqëri, për lirinë e tyre mendore se sa i gjithë grupi i njerzve në qëndër të vëmëndjes apo protestës publike të momentin” –  shkruan autori. 

I dhënë mbas paradokseve, madje i dashuruar mbas tyre, Kundera nuk e kupton sesi njerëzit nuk do të harrojnë kurrë vrasjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore por do ta kenë më të lehtë të harrojnë atë që ai e quan pjesën muzikore më monumentale kushtuar Holokaustit – “Warsaw Survivor” nga Schoeneberg, apo sesi filmi ka humbur vlerën e tij si art me çdo vit që shfaqet në kinema.

Ai ka dyshime të thella mbi njerëzimin në të ardhmen. Mbi aftësinë e njeriut për t’ia dalë të pluskojë mbi dallgët e mundimshme të anti-artit pa u mbytur prej tyre.

“Encounter” është i shkurtër por arrin shumë duke të hapur mendjen dhe zbukuruar ditën me zbulime të vazhdueshme të atyre që mund ti njohësh apo jo.

Milan Kundera është një brilant i cili kërkon të hedhë dritë në qoshet më të pandriçuara të mendjes, e pse jo, zemrës tonë. Dhe në më të shumtën e rasteve, edhe me këtë libër, ja del!