Tech Top Tech - News

Ferrari SC40, një bishë e re që duket sikur ka zbritur direkt nga një film hapësinor…

Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.

Ferrari SC40

E ke parë makinën e re që ka nxjerrë Ferrari? Quhet Ferrari SC40, dhe ta them sinqerisht – duket sikur ka zbritur direkt nga një film hapësinor. Një spaceship me goma. Është një one-off, pra ekziston vetëm një copë, dhe është bërë për një klient që ndoshta ka më shumë para sesa ne të gjithë bashkë për 10 jetë.

Ideja pas SC40 është të nderojë legjendën absolute, Ferrari F40, që ishte makina e fundit nën mbikëqyrjen e vetë Enzo Ferrarit. Po mos prit të shohësh një kopje të saj me ngjyra të reja — kjo makinë është një interpretim modern, me shpirtin e F40-s, por me trupin e një bishe të shekullit 21.

Poshtë gjithë asaj karocerie fshihet trupi dhe motori i 296 GTB, që do të thotë: V6 turbo 3.0 litra, hibrid, 819 kuaj fuqi, dhe 0–100 km/h në vetëm 2.9 sekonda. Po, fluturon, jo me shaka.

Dizajni? Brutal. Flavio Manzoni ka dashur t’i japë formë “muskujve” të F40-s, por me linja më të pastra, më industriale, më moderne. Dritat për shembull, tani zgjaten deri poshtë tek hyrjet e ajrit, ndërsa fleta pas – ajo “monumentalja” e F40-s – është rikrijuar me një prekje futuriste.

Brenda, Ferrari ka rikthyer kevlarin, që s’e kemi parë prej dekadash, bashkë me Alcantara-n dhe një ngjyrë unike: SC40 White.

Në fund të ditës, kjo nuk është thjesht një makinë. Është një homazh për historinë, një eksperiment i çmendur dizajni, dhe mbi të gjitha, një Ferrari që të bën të ndihesh sikur po sheh të ardhmen nga dritarja e së kaluarës.