Një studim i ri shkencor sugjeron se flokët e kuq, dikur një tipar relativisht i rrallë mund të bëhen gjithnjë e më të zakonshëm, si rezultat i proceseve të vazhdueshme evolucionare te njerëzit. Hulumtimi, i publikuar në Nature, analizoi ADN-në e rreth 10 mijë mbetjeve njerëzore të lashta nga Evropa dhe pjesë të Azisë, së bashku me mijëra mostra moderne. Rezultatet tregojnë se përzgjedhja natyrore ka pasur një ndikim shumë më të madh në evolucionin njerëzor gjatë 300 mijë viteve të fundit sesa besohej më parë.
Në qendër të këtij studimi është koncepti i Seleksionimit të Drejtuar, një formë e përzgjedhjes natyrore që favorizon tipare specifike si në këtë rast flokët e kuq dhe lëkura e çelët. Shkencëtarët identifikuan 479 variacione gjenetike të ndikuara fuqishëm nga ky proces, shumë më tepër se rreth 20 rastet që njiheshin më parë.
Sipas studiuesve, ndryshimet në stilin e jetesës si kalimi nga gjuetia dhe mbledhja te bujqësia kanë përshpejtuar përhapjen ose zhdukjen e disa gjeneve. Kjo ka ndikuar jo vetëm në tiparet fizike, por edhe në predispozitat shëndetësore. Mes tipareve që janë bërë më të zakonshme sot janë flokët e kuq, lëkura e bardhë, si dhe disa karakteristika biologjike që lidhen me shëndetin, si rezistenca ndaj infeksioneve të caktuara apo rreziku për sëmundje si Crohn’s dhe celiakët.
Në mënyrë interesante, disa ndryshime gjenetike duken më pak intuitive. Për shembull, intoleranca ndaj glutenit është rritur paralelisht me përhapjen e bujqësisë dhe konsumit të grurit, një zhvillim që sfidon pritshmëritë klasike për adaptimin. Autori kryesor i studimit, David Reich nga Universiteti i Harvardit, thekson se këto gjetje ndihmojnë në vendosjen e një “kohe dhe vendi” për forcat që kanë formësuar evolucionin njerëzor.