Ish-kryeministri Sali Berisha po zhvillon sot foltoren e radhës në Librazhd, ku akuzoi edhe njëherë kreun e PD-së Basha për bashkëpunim me kryeministrin Rama, duke kthyer sipas tij PD-në në ministri të narko-shtetit.
Berisha denoncoi blerjen e votave nga kryeministri Edi Rama, që sipas tij përdori paratë e drogës dhe potencialet e shtetit njësoj si në diktaturë.
Hymë më këtë vjeshtë si njerëz thellësisht të lënduar, si një shoqëri e cila nuk votoi dot si shoqëri e qytetëruar. Si një shoqëri të cilën narko-shteti i bleu, i rrëmbeu me falangat e patronazhistëve me dhjetëra miliona euro të buxhetit, me bandat e pamëshira, votën dhe mandatet. Erdhëm në këtë vjeshtë si një shoqëri, e cila me besimin që shprehu te opozita mbeti një shoqëri e tradhtuar, e prerë në besë, e braktisur. Vërtet Edi Rama rrëmbeu dhe plaçkiti vota si kurrë ndonjëherë më parë, ai përdori gjithë potencialet e shtetit njëlloj si në diktaturë kur partia ishte shtet. Ai disbursoi vetëm në muajin prill 91 milionë euro për të blerë vota. Mobilizoi falangat e krimit në të katër anët e vendit për të blerë vota me paratë e drogës. Por peng-kryetari i cili u zotua se do mbrojë votën tuaj, u zotua se nuk do njohë zgjedhjet e 25 prillit, harroi çdo zotim para jush, shkelmoi çdo zotim, u kthye dhe u mor vetëm me karrigen e tij, dhe filloi bashkëpunimin e turpit me Edi Ramën. PD-në e nënshtroi në një ministri të narko-shtetit. Kurrë në histori nuk ka ndodhur që një opozitë të votojë apo abstenoi ndaj borxhit më të madh të marrë në historinë e vendit, sic veproi peng-Basha, tha Berisha.
I shoqëruar nga ish-presidenti Bujar Nishani, deputetët Luçiano Boçi dhe Edmond Spaho, ish-kryeministri Sali Berisha sulmoi Lulzim Bashën, për të cilin tha se ka harruar çdo zotim që iu ka bërë demokratëve, dhe se i intereson vetëm karrigia e tij.
Ik mor mjeran, jep dorëheqjen, jemi parti e dinjiteti njerëzor. Ik se nuk ke punë me ne. Ik dhe ik sa më shpejt. Kur shkon dhe i kërkon 8 vite 4 humbje, secila më e hidhur dhe më e dhimbshme se tjetra. Ju sakrifikuar shumë. Ai kishte një axhendë tjetër, jo si të fitoni ju dhe PD. Po si të bëje ai që nuk mund të ishte kurrë, si të bëhej lider. I pashoqëruar nga asnjë prej jush, duke shëtitur nëpër Shqipëri.