Franca rikthen në shtëpi një rekord që lidhet ngushtë me identitetin kombëtar. Bukëpjekësit atje përgatitën bagetën më të gjatë në botë, 140.54 metra, një rekord i cili për 5 vite u mbajt nga Italia. 235 herë më e gjatë se sa produkti tradicional me të cilin Franca krenohet, bageta u krijua në Suresnes, në periferi të Parisit, gjatë konfederatës së bukëpjekësve dhe pasticierëve francezë.
Rekordin e kaluar e mbante bageta 132.62 metra e gjatë prodhuar në qytetin italian të Komos, në qershor të vitit 2019. Për ta tejkaluar atë, bukëpjekësit në Francë filluan të përgatisnin e t’i jepnin formë brumit që në orën 3 të mëngjesit, para se ta vendosnin atë në një furrë me rrota të ndërtuar posaçërisht.
“Gjithçka është konfirmuar dhe ne jemi të lumtur që e kemi thyer këtë rekord dhe që e kemi bërë në Francë”-u shpreh bukëpjekësi Anthony Arrigault. Pjesë e bagetës e cila duhej të ishte të paktën 5 centimetra e gjerë u copëtua dhe u nda me publikun. Ajo që mbeti ju dha personave të pastrehë. Bageta tradicionale franceze duhet të jetë rreth 60 cm e gjatë dhe duhet të përbëhet vetëm nga miell gruri, ujë, kripë e maja, dhe të peshojë 250 gramë, sipas rregullave zyrtare.
“Baguette”, buka e gjatë dhe me kore që është një element kryesor i shijes franceze, i është dhënë statusi i veçantë “UNESCO”. “Baguette” i bashkohet ushqimeve dhe kulturave të tjera të kuzhinës në listën e UNESCO-s të “Trashëgimisë Kulturore Jomateriale”, duke përfshirë prodhimin e picës napolitane, ‘kimchi’, kulturën belge të birrës, “dietën mesdhetare” dhe kafen arabe.
Drejtoresha e përgjithshme e UNESCO-s, Audrey Azoulay, tha për “CNN” se statusi i mbrojtur i ‘baguette’-ës i kushton haraç traditës, mjeshtërisë dhe siguron që mënyra artizanale e pjekjes t’i kalohet brezit të ardhshëm. Azoulay tha:
Është një lloj mënyre jetese. Ka gjithmonë një furrë afër, ku mund të shkosh të blesh bukë të freskët të dhe të takosh njerëz. Ky është një element shumë i rëndësishëm i kohezionit social. Kjo do t’i bëjë njerëzit të kuptojnë se kjo ‘baguette’ e zakonshme që ata e njohin shumë mirë, është diçka e çmuar. Ajo vjen nga historia dhe ka karakter dhe është e rëndësishme të ndërgjegjësohet publiku, të jetë krenar për këtë.