Aktualitet

Fushë Krujë, lumi Ishëm del nga shtrati/Përmbytet një lagje në Murqinë!

Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut të rëna gjatë orëve të natës, lumi Ishëm në fshatin Murqinë të Fushë Krujës ka dalë nga shtrati.

Për shkak të prurjeve të larta, dhjetëra hektarë tokë bujqësore ndodhen aktualisht nën ujë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme për fermerët e zonës. Situata paraqitet problematike edhe për banorët, pasi një lagje është izoluar si pasojë e përmbytjeve.

Rruga që lidh këtë zonë me pjesën tjetër është e kalueshme vetëm me mjete të larta, ndërsa autoritetet lokale po monitorojnë nga afër situatën dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes.

Reshjet e dëborës janë rikthyer në zonat malore të juglindjes, duke shkaktuar vështirësi në disa akse dhe probleme të herëpashershme me energjinë elektrike. Zonat turistike të Dardhës e Voskopojës, si edhe territori i Kolonjës dhe zona e Mokrës, janë përfshirë nga moti i keq.

Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar – Drejtoria Qendër Lindje, reshje dëbore janë regjistruar në segmentet Libonik–Rëmbec–Plasë dhe në aksin Korçë–Voskopojë, ku po kryhen pastrim dhe kriposje të vazhdueshme. Qarkullimi vijon normalisht, por vetëm me goma dimërore.

Probleme paraqiten në aksin Maliq–Kufi Gramsh, ku po punohet për largimin e inerteve të sjella nga reshjet e shiut. Në aksin Ersekë–Tre Urat është regjistruar dëborë, por pa pengesa për qarkullimin. Ndërkohë, në segmentin Boboshticë–Dardhë operojnë dy mjete borëpastruese dhe rekomandohet lëvizje vetëm me goma dimërore.

Situata paraqitet më problematike në veri të vendit. Aksi Bogë–Theth vijon të ndikohet nga reshje intensive bore, ndërsa Qafa e Thorës mbetet e bllokuar në zonën e tuneleve për shkak të ortekëve. Po punohet për hapjen e rrugës me mjete borëpastruese.

Gjithashtu, në aksin Hani i Hotit–Vermosh ka reshje të dendura dëbore mbi kuotën 1000 metra, ku qarkullimi kryhet vetëm me goma dimërore dhe me asistencë të mjeteve borëpastruese.

Nga ana tjetër, Korporata Elektroenergjike Shqiptare ka njoftuar nisjen e shkarkimeve të kontrolluara nga hidrocentralet në kaskadën e lumit Drin – Fierzë, Koman dhe Vau i Dejës – pas rritjes së ndjeshme të prurjeve. Është konstatuar rritje e niveleve të lumenjve Drin dhe Bunë, si edhe të Liqenit të Shkodrës.

Në zonën e Obotit, uji ka përmbytur kryesisht toka bujqësore, duke zgjeruar sipërfaqen e përmbytur, por pa rrezik për banesat deri më tani. Aksi lidhës i fshatit me rrugën kryesore ka prezencë uji rreth 40–50 cm, çka vështirëson kalimin e mjeteve të vogla. Në terren ndodhen dy mjete të kalueshmërisë së lartë dhe 10 efektivë të Forcave të Armatosura në gatishmëri për çdo emergjencë.

Autoritetet apelojnë për kujdes maksimal në lëvizje dhe ndjekje të udhëzimeve zyrtare deri në stabilizimin e situatës.