Bota Sport

“Futbolli, gjuha universale e gjithë botës”/ Infantino në Bordin e Paqes: Ne do të…

Në Uashington është mbajtur takimi inaugurues i Bordit të Paqes, ku përveç shteteve bashkë-themeluese, mori pjesë edhe FIFA.

Presidenti i organit më të lartë të futbollit në botë, Gianni Infantino, mori fjalën e tij në takimin e bordit.

Ai u shpreh se SHBA do të bashkojë botën në verë, ku iu referua Botërorit 2026 dhe gjithashtu, u ndal te investimet që FIFA do të bëjë për rindërtimin e Gazës.

“Futbolli këtu është gjuha universale e botës. Presidenti Trump do të bashkojë botën këtu në verë. Sot zyrtarizojmë një partneritet mes FIFA-s dhe Bordit të Paqes. Pasi dëgjova prezantimin tuaj në Davos kisha një ndjesi që edhe ne duhet të ndihmojmë. Të gjithë duhet ta suportojnë këtë. Të gjithë duhet të suportojnë paqen. Nuk duhet vetëm të rindërtojmë shtëpitë, shkollat, spitalet, por duhet të rindërtojmë edhe shpresën dhe besimin te njerëzit. Dhe kjo është ajo që futbolli, sporti im ka të bëjë. Faleminderit të gjithëve. Zoti e bekoftë Bordin e Paqes”, tha Infantino.

Ndërkohë në fjalën e tij, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u shpreh se si të gjitha shtetet e tjera, edhe Shqipëria me Kosovën do të angazhohen me trupa në terren në Gaza.

“Dua të falënderoj Indonezinë. Një vend i mrekullueshëm. Maroku do të angazhohet. Shqipëria dhe Kosova do të kenë gjithashtu trupa në terren”, tha Trump.

Kazakistani, Azerbajxhani, Maroku, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini, Katari, Arabia Saudite, Uzbekistani dhe Kuvajti kanë dhënë në total 7 mld dollarë, ndërsa 10 mld dollarë për rindërtimin e Gazës do t’i japë vetë SHBA. Rindërtimi i Gazës pritet të kushtojë 70 miliardë dollarë, sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara, Bankës Botërore dhe Bashkimit Europian, pas më shumë se dy vitesh lufte.