Bota

Gaza me marrëveshje armëpushimi, por Izraeli konfirmon sulme!

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, udhëzoi forcat e sigurisë së shtetit të tij që të ndërmarrin “veprim të fuqishëm” ndaj objektivave të militantëve në Gazë, duke akuzuar për shkelje të armëpushimit Hamasin, grupin palestinez të shpallur “organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian”.

Pas shkeljes së armëpushimit nga Hamasi, kryeministri Netanyahu ka mbajtur konsultime me ministrin e Mbrojtjes dhe zyrtarë të lartë të sigurisë duke i udhëzuar që të ndërmarrin veprime të forta kundër shënjestrave terroriste në Rripin e Gazës, raportoi zyra e Netanyahut.

Ndërkaq, krahu ushtarak i Hamasit u shpreh se grupi po i përmbahet marrëveshjes së armëpushimit dhe nuk është në dijeni për ndonjë luftim në Rafah, ku ushtria izraelite ka kryer sulme ajrore. Më herët gjatë të ditës, mediat në Izrael raportuan për bombardime në Rripin e Gazës.

Transmetuesi publik izraelit, Kan, tha se forcat ajrore kanë kryer sulme në Rafah, në jug të Gazës. Ushtria izraelite kishte deklaruar të premten se “disa terroristë” hapën zjarr ndaj ushtarëve të saj në zonën e Rafahut, por nuk raportoi për të lënduar. Më vonë, po të premten, forcat ushtarake sulmuan një grup tjetër “terroristësh” që po i afroheshin trupave në Han Junis.

Qeveria izraelite dhe Hamasi kanë fajësuar njëri-tjetrin për shkelje të armëpushimit, teksa Izraeli ka thënë se pikëkalimi në Rafah, që lidh Gazën me Egjiptin do të mbetet i mbyllur deri në një njoftim të ri.

Izraeli dhe Hamasi janë përplasur mbi kthimin e trupave të pengjeve të vdekur. Izraeli kërkoi që Hamasi të përmbushë detyrimet duke dorëzuar trupat e mbetur të të 28 pengjeve.

Hamasi ka liruar të 20 pengjet e gjalla dhe ka dorëzuar mbetjet mortore të 12 të vdekurve.

Sulmet e raportuara në Gazë vijnë pasi SHBA-të thanë se ka “raporte të besueshme” që Hamasi po planifikon një sulm ndaj civilëve palestinez. Një sulm i tillë, sipas Uashingtonit do të përbënte shkelje të armëpushimit, duke e paralajmëruar grupin radikal palestinez se do ndërmarrë masa.

Hamasi ka mohuar se po planifikon një sulm të tillë.