Rajoni

Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Sot dëshmia e britanikut John Stewart Duncan!

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë nisi dëshminë diplomati britanik, John Stewart Duncan, i thirrur nga mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i akuzuar për krime lufte. Në fund të viteve ’90, Duncan ishte këshilltar politik i ish-komandantit suprem të Forcave Aleate të NATO-s, Wesley Clark, i cili udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër objektivave ushtarake serbe, më 1999-ën.

Në fillim të dëshmisë, mbrojtja e pyeti nëse ka mbuluar edhe punën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë veprimtarisë së tij dhe u përgjigj me një ‘po’.

Së pari, lexoja të gjitha informacionet në internet për 24 orët e fundit lidhur me Kosovën. Më pas dëgjoja lajmet e fundit, BBC-në… shqyrtoja të gjithë kabllogramet diplomatike, shërbimet e monitorimit dhe më pas hyja në takime e informoja gjeneralin Clark. Po ashtu, bisedoja me gazetarë dhe organizata joqeveritare për të marrë sa më shumë informacion, u shpreh Duncan duke përshkruar një ditë të zakonshme pune të asaj kohe.

Detyrat e mia kryesore ishin t’u jepja këshilla komandantëve ushtarakë lidhur me aspektet politike dhe diplomatike, por edhe t’i udhëzoja për mënyrën e reagimit e ndikimin e tyre në operacionet përkatëse.

Gjithashtu ka shërbyer në Shqipëri pas rënies së komunizmit. Për vendin tonë, u shpreh:

Ky ishte një shtet i mbyllur për 46 vjet dhe unë isha vërtet i interesuar të kuptoja se si funksiononte shoqëria, sepse kjo ishte baza e detyrës sonë si diplomatë. Ne duhej t’u shpjegonim eprorëve tanë si funksionon shoqëria, çfarë ndodh brenda saj, si veprojnë pushtetet, çfarë mund të ndikosh tek ata dhe pse ndonjëherë mund të jenë të vështirë. Kjo është puna e një diplomati, t’ua shpjegojë të gjitha aspektet e një shoqërie eprorëve përkatës, tha Duncan.

Sipas kryesuesit të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmia e këtij dëshmitari do të zgjasë dy ose tri ditë. Mbrojtja e Thaçit dhe e ish-drejtuesve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të akuzuar për krime lufte ka thirrur 11 dëshmitarë, të cilët do të paraqiten gjatë javëve në vazhdim.

Dy dëshmitarë të tjerë pritet të flasin si të kërkuar nga mbrojtja e Jakup Krasniqit. Ndërkaq, mbrojtja e Kadri Veselit dhe ajo e Rexhep Selimit, ende nuk kanë thirrur dëshmitarë. Ish-drejtuesit e UÇK-së akuzohen për burgosje të paligjshme, torturë, vrasje, krime kundër njerëzimit, zhdukje me forcë dhe persekutim të qindra civilëve e personave që nuk morën pjesë në luftime.

Dyshohet se këto krime ndodhën midis marsit 1998 e shtatorit 1999, në vende të ndryshme në Kosovë, si edhe në veri të Shqipërisë. Referuar Dhomave të Specializuara, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi “mbajnë përgjegjësi penale personale për këto krime”, por të gjithë ata e mohojnë fajësinë.