Ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja, ka reaguar për ndarjen nga jeta të aktorit Birçe Hasko, për të cilin thotë se “për dekada me radhë, ai solli në skenë dhe ekran personazhe të dashura për publikun, duke u kthyer në një prej figurave më të veçanta të teatrit dhe filmit shqiptar”.
Postimi i plotë:
Me hidhërim të thellë morëm lajmin e ndarjes nga jeta të aktorit të mirënjohur të kinematografisë dhe teatrit shqiptar, Birçe Hasko.
Për dekada me radhë, ai solli në skenë dhe ekran personazhe të dashura për publikun, duke u kthyer në një prej figurave më të veçanta të teatrit dhe filmit shqiptar. Publiku do ta kujtojë për interpretimet e spikatura në filma si “Radiostacioni”, “Njeriu me top”, “Koncert në vitin 1936”, “Përrallë nga e kaluara”, “Dhe vjen një ditë”, “Shkëlqim i përkohshëm” apo “I dashur armik”, si edhe për rolin e paharrueshëm të Milos në komedinë “Shi në plazh”.
Përveç kontributit të çmuar në skenë dhe ekran, Birçe Hasko mbetet edhe një nga pedagogët më të rëndësishëm të aktrimit në Shqipëri, i cili deri në vitet e fundit formoi dhe frymëzoi breza të tërë artistësh të rinj, duke përcjellë me përkushtim përvojën, disiplinën dhe dashurinë për skenën.
Me humorin spontan, interpretimin plot ritëm dhe karakteret popullore që mbartnin shpirtin e jugut, Birçe Hasko krijoi një stil unik artistik që mbetet pjesë e historisë së kinematografisë shqiptare.
Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë, kolegët, studentët e tij dhe gjithë komunitetin artistik.
Mevlan Shanaj: Karakterin ‘popullor’ e bëri të pavdekshëm!
Regjisori dhe aktori Mevlan Shanaj ka reaguar për ndarjen nga jeta të aktorit të mirënjohur të skenës shqiptare Birçe Hasko. Shanaj shkruan se Hasko ishte një emër i madh i kinematografisë, një aktor që humorin, rreptësinë dhe mjeshtërinë e interpretimit e kishte pjesë të karakterit.
Postimi i Mevlan Shanaj:
Ka ikur Birçe Hasko.Ka ikur aktori që la pas një emër të nderuar, një emër të madh në kinematografinë shqiptare.Ka ikur njeriu që solli karakterin ” popullor” të jugut duke e bërë të pavdekshëm.Iku labi Birçe Hasko.Ka ikur njeriu që i dha emrin konkretësi mjeshtrisë së interpretimit.Ka ikur ai që humorin dhe rreptësinë i kishte pronë të karakterit.Lamtumirë Mik bashkëpunëtor ! NJERI