Politikë

Hetimi për vjedhje vote në Lushnjë, Berisha: U organizua nga Vlora Hysenaj, sapo të mësoj emrin, do përjashtohet nga PD si agjent i SHISH

Kryedemokrati Sali Berisha reagoi pas akuzave se një person ka dhënë 500 euro ryshfet për sigurimin e votave për PD në Lushnjë.

Berisha e konsideron një punë të kreut të SHISH, Vlora Hysenaj, ku thekson se sapo të mësojë emrin e personit do ta përjashtojë nga PD, nëse vërtet e ka bërë një akt të tillë.

Gazetari: Ju në Strasburg denoncuat që vota në Shqipëri ka shkuar 100 euro për pensionistët, sipas Policisë së Shtetit është kapur një rast në Lushnjë, ku një person ofronte 500 euro në këmbim të votës dhe dyshohet në emër të PD.

Berisha: Po të garantoj, ky është si rasti i Belerit, janë stimulime, është e tëra e organizuar nga Vlora Hysenaj dhe Ardi Veliu, kategoria e provokatorëve që e dinë që fluturojnë atje ku e meritojnë pas datës 11 maj, sapo të mësoj emrin e personit që ka marrë pjesë përjashtohet në mënyrë përfundimtare nga PD, përjashtohet si pjesë…si agjent i SHISH të Policisë kriminale, nëse është njeri që e ka bërë.

LEXO EDHE: Para për t’i marrë votën, pranga 38-vjeçarit në Lushnjë!

Më herët, në reagim Partia Demokratike i cilësoi sajesa të turpshme dhe manipulim i opinionit publik nga Policia e Shtetit, njoftimin se një 38-vjeçar ka blerë vota në Lushnjë, në favor të PD-së.

“Ne distancohemi nga çdo krim elektoral dhe jemi në krye të betejës kundër shkeljeve të ligjit në zgjedhje”, thuhet në deklaratën e Shtabit të PD-së në qarkun Fier. E djathta kërkon hetim nga Prokuroria e Posaçme Anikorrupsion.

“Sajesat e turpshme si të Sigurimit të Shtetit as na ndikojnë, as na shfokusojnë nga misioni ynë për të bërë më të mirën për Shqipërinë. Ne distancohemi nga çdo krim elektoral dhe jemi në krye të betejës kundër shkeljeve të ligjit në zgjedhje. Manipulimet e opinionit publik të kryer nga Policia e Shtetit, një bandë në shërbim të Belinda Ballukut, duhet të marrin përgjigje nga Prokuroria e Posaçme. SPAK duhet të hetojë menjëherë rastin dhe të vendosë para përgjegjësisë cilindo që ka shkelur ligjin.

Ne kemi besim të plotë tek SPAK për zbardhjen e këtij rasti, ku po keqpërdoret Policia e Shtetit për propagandë bajate kundër PD. Sajesa e trashë, qesharake dhe e turpshme e Policisë së Shtetit është bërë për llogari të PS dhe Belinda Ballukut për të zhurmuar krimin elektoral të detyrimit të administratës për të marrë pjesë në mitingjet e PS. 35 fletëthirrje janë dërguar tek strukturat e Partisë Socialiste për krime zgjedhore vetëm ditën e djeshme për këtë krim elektoral. Ne inkurajojmë Prokurorinë e Posaçme që të vijojë punën për goditjen e çdo krimi zgjedhor në qarkun Fier”, thuhet në reagim.