Bota

Historike, për herë të parë një grua në krye të policisë së qytetit të Nju Jorkut!

Për të parën herë, qyteti i Nju Jorkut do të ketë një grua në krye të Departamentit të Policisë. Drejtimi i është besuar afro-amerikanes Keechant Sewell, aktualisht kryehetuese e kontesë Nassau.

Emërimin e bëri kryebashkiaku i zgjedhur, Eric Adams, edhe ai me një të kaluar si polic. Para prezantimit të sotëm, Adams vlerësoi:

Keechant Sewell është një luftëtare e provuar në luftën me krimin, me përvojën dhe inteligjencën e duhur emocionale, për t’i sjellë nju jorkezëve sigurinë e drejtësinë që meritojnë. Çdo ditë, shefe Sewell do të jetë e fokusuar në përmirësimin e qytetit tonë dhe jam i lumtur që e kemi në krye të NYPD.

Gjithashtu, 49-vjeçarja Sewell, bëhet i treti person me ngjyrë që merr detyrën e rëndësishme në historinë e NYPD, pas Benjamin Ward e Lee Brown, në vitet ‘80 e 90.

Tashmë, zyrtarja e lartë do të ketë në duar një departament që është në proces ndryshimesh e në vitet e fundit po përballet në mënyrë më të vendosur me krimin, veçanërisht atë të dhunshëm, me vrasje e të shtëna me armë zjarri. Situata e sigurisë ka njohur përkeqësim pas shifrave që prej vitesh tregonin se gjendja ishte e mirë.

Katër muaj më parë, Nju Jorku u përball me një tjetër zhvillim historik në radhët e forcave të rendit. 38-vjeçarja Filastine Srour, u bë e para grua myslimane e emëruar kapitene në departamentin e policisë. Përveçse hyri në histori u kthye edhe në një shembull për vajzat e tjera në botë. Srour lindi në Bronks, vajzë emigrantësh palestinezë. Prindërit e saj vinin nga fshati Beit Nuba në Palestinë, ku jetonin para se të strehoheshin në kampin e refugjatëve të Qalandia-s, pranë Jeruzalemit. Ata u larguan nga fshati për shkak të luftës arabo-izraelite të vitit 1948.

Filastine ka luajtur një rol të rëndësishëm edhe në promovimin e çështjes palestineze në Nju Jork kur bindi policinë e qytetit të ngrente flamurin palestinez në ceremoninë ku mori detyrën.