Aktualitet

Humb jetën tragjikisht reperi i njohur grek, Mad Clip!

Humb jetën tragjikisht në një aksident automobilisti reperi i njohur grek, Mad Clip. Aksidenti ndodhi në Vouliagmeni, Athinë dhe makina “Porsche” që po ngiste artisti, devijoi nga rruga dhe u përplas në një shtyllë. Përplasja ishte shumë e fortë pasi mjeti u shkatërrua plotësisht dhe madje grupit hetimor iu desh kohë të zbulonte që viktima ishte reperi, emri i vërtetë i të cilit është Peter Anastasopoulos.

Mediat fqinje raportojnë se shërbimet zjarrfikëse u përpoqën me orë të tëra për të nxjerrë trupin nga automjeti. Raportohet se Mad Clip po kthehej në shtëpi nga dasma e mikut të tij, Giorgos Benioudakis, por pas largimit ai u aksidentua për vdekje.

Mediat greke kanë zbuluar se në këtë event Mad Clip ka kënduar bashkë me këngëtaren e famshme me origjinë shqiptare, Eleni Foureira. Para tre muajsh reperi grek bashkoi forcat me këngëtaren shqiptare dhe publikuan këngën me titullin “Mporei”.

Artisti ka bashkëpunuar edhe në këngën “Mama” me artistin tjetër grek me origjinë shqiptare Sin Boy, këngë e cila bëri bujë dhe u kthye menjëherë në hit.