Në ditën e tetë të protestave në Serbi, mbi dhjetë rrugë kryesore në Beograd u bllokuan sot nga protestuesit. Me kërkesë të studentëve, grupe joformale qytetarësh zunë rrugët dhe kryqëzimet në disa lagje, që nga ora 07:00. Mes tyre janë disa nga akset kryesore në Beogradin e Ri.
Policia ndërhyri në disa raste, duke shmangur bllokime në rrugë kryesore në disa vende në Beograd. Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë raporton për forca të shtuara policore në rrugët e qendrës së qytetit e në lagje të tjera. Në disa nga vendet ku ka bllokada, raportohet se policia kërkoi dokumentet e identifikimit të qytetarëve.
Bllokadat në qytete anembanë Serbisë filluan pasi studentët bënë thirrje për “mosbindje civile” nga 28 qershori. Organizata akademike “Studentët në bllokadë” organizon protesta prej fundit të vitit të kaluar, duke kërkuar përgjegjësi për tragjedinë në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad ku 16 persona humbën jetën nga shembja e një strehe betoni, më 1 nëntor.
Studentët që kanë bllokuar edhe fakultete, kërkojnë publikimin e dokumentacionit të plotë për rindërtimin e stacionit hekurudhor, identifikimin e ndjekjen penale të personave që sulmuan protestuesit gjatë tubimeve në të gjithë Serbinë, lirimin e aktivistëve të arrestuar në protesta dhe ndërprerjen e procedurave penale kundër tyre, si dhe rritjen e buxhetit për universitetet.
Nga maji, kërkesë e tyre është bërë thirrja e zgjedhjeve të parakohshme, në mënyrë që qeveria e re të mund të punojë për përmbushjen e kërkesave të mëparshme.