Një 49-vjeçar është arrestuar nga Policia e Durrësit, pasi akuzohet për veprën penale “shkatërrim i pronës me zjarr”.
Mësohet se shtetasi me inicialet A.B., i ka vënë dje zjarrin një sipërfaqeje toke në lagjen nr. 15 në Durrës. Për pasojë, janë djegur rreth 4.000 m² me bimësi të egër kallamishte.
NJOFTIMI
Vijon puna për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të atyre shtetasve që kryejnë krime mjedisore. Arrestohet në flagrancë një 49-vjeçar, për zjarrvënie në Durrës.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, arrestuan në flagrancë për veprën penale “Shkatërrim i pronës me zjarr”, shtetasin A. B., 49 vjeç, banues në Durrës. Ky shtetas ditën e djeshme në lagjen nr.15, Durrës, i ka vënë zjarrin një sipërfaqe toke, ku është djegur rreth 4.000 m² me bimësi të egër kallamishte.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës apelon për të gjithë banorët që në asnjë rast mos shkaktojnë zjarrvënie pasi do të përballen me ligjin . Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital për çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi duke ju garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore.
Arrestime edhe në Fier, pranga dy kushërinjve, dogjën mbi 4 hektarë pyll në Gjorgos e në Kreshpan
Policia e Fierit ka vënë në pranga 2 shtetas të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin i vunë zjarrin pyllit të fshatit Gjorgoz. Nga hetimet rezulton se këta shtetas janë autorë edhe të zjarrvënies në pyllin e fshatit Kreshpan.
Në vijim të punës hetimore për zbulimin dhe kapjen e autorëve të zjarrvënieve, si rezultat i informacioneve dhe provave të grumbulluara, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, u arrestuan në flagrancë shtetasit Arben Muskaj, 49 vjeç dhe Zarif Muskaj, 41 vjeç, banues në Afrim i Ri, Fier.
Këta shtetas, në datë 06.08.2021, në bashkëpunim me njëri-tjetrin i kanë vënë zjarrin pyllit të fshatit Gjorgoz, Fier, ku është djegur një sipërfaqe prej 4 hektarë me shkurre e pisha.
Gjithashtu, nga hetimet rezulton se këta shtetas janë autorë të dyshuar edhe të zjarrvënies në pyllin e fshatit Kreshpan në datë 28.07.2021.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” e kryer në bashkëpunim.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për të gjithë banorët, që në asnjë rast mos shkaktojnë zjarrvënie pasi do përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital për çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi duke ju garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore.